Shtufi: Dyshimet për Riza Salihun m’u shtuan pasi u burgos në Gjermani për vrasjen e Jusuf Gërvallës

Pal Shtufi ka deklaruar se dyshimet e tij ndaj Riza Salihut iu shtuan pas arrestimit të këtij të fundit në Gjermani, lidhur me dyshimet për përfshirje në vrasjen e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Duke folur në ciklin “Dosjet” të emisionit “Debat Plus”, Shtufi tregoi se rreth një vit pas vizitës së Salihut në shtëpinë e tij, ai e kishte marrë vesh se Salihu ishte burgosur në Gjermani.

Sipas Shtufit, Salihu e kishte telefonuar dhe i kishte thënë: “Ju dogjën Gestapo-s letrat në dorë. Dola nga burgu’. I  thashë po pse bre vëlla, kur ke qenë? Tha, ‘po, më kanë mshel menjëherë te motra’. E ka pasë motrën në Bremen”.

Shtufi tha se pas kësaj kishte nisur të dyshonte më shumë për Salihun.

“Unë u mërzitsha me pa një shqiptar, një shqiptar me sy me pa edhe i erdhi puna që Rizahu, për mua fillojë pastaj dyshimi edhe më i madh sepse kur edhe Gjermania të burgos, pastaj e ka burgosur edhe njëherë më vonë. Dy herë është burgosur për Jusufin, për dyshim, vrasje. Ose pjesëmarrje ose, nuk e di çka. E këtu çdokush trazohet. Sidomos një i ri si unë në atë kohë, që këtu ka diçka, se nuk është bash, nuk të marrin gjermanët, nuk e kanë asnjë interes me të burgosur pa hiç asnjë send”, tha Shtufi.

Ai theksoi se në atë kohë ishte i ri dhe arrestimi i Salihut nga autoritetet gjermane e kishte bërë të mendonte se “këtu ka diçka”, pasi, sipas tij, nuk e shihte të arsyeshme që autoritetet gjermane ta burgosnin dikë pa bazë.

Megjithatë, Shtufi tha se nuk mund të japë një përfundim nëse Salihu ka qenë i përfshirë apo jo në vrasjen e tre veprimtarëve.

“A di çfarë dyshoj në Rizahun? Që i ka raportuar pa ndërprerë Sigurimit të Shqipërisë”, deklaroi ai.

Shtufi tha se kishte vërejtur se Salihu mbante shënime gjatë bisedave me njerëz.

“Çdo bisedë Rizahu shënonte. E ka pasë një si fletore të vogël, njëfarë si notic si i thonim ne, edhe shkruajke. Më ka lënë përshtypje po në atë kohë nuk kam, unë kam menduar që duhet ashtu, ashtu udhëhiqet, po në fakt mua ato më tregojnë që ato i janë dashtë për një raport”, tha ai.

Duke iu referuar pretendimeve për lidhje mes Salihut dhe Sigurimit të Shtetit të Shqipërisë, Shtufi tha se kishte dëgjuar se Salihu kishte pasur kontakte me persona të këtij shërbimi.

Ai përmendi edhe letrat dhe kontaktet e Salihut me Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë, përfshirë Engjëll Kolonecin, për të cilat Ermal Panduri tha se ekzistojnë në dokumentacion.

Shtufi tha se nuk ka prova se informacionet që, sipas tij, Salihu mund t’ia ketë përcjellë Sigurimit të Shqipërisë, kanë përfunduar te UDB-ja jugosllave.

“Unë s’kam fakte”, theksoi ai, duke shtuar se këtë e sheh si një mundësi që duhet trajtuar me kujdes.

Shtufi foli edhe për kthimin e tij nga Gjermania në Kosovë dhe për arrestimin e tij nga autoritetet jugosllave.

Ai tha se para kthimit kishte komunikuar me Salihun dhe se ky i fundit i kishte dhënë disa këshilla lidhur me vendimin për t’u kthyer.

Shtufi tregoi se pas kthimit në Kosovë ishte marrë në pyetje për 17 ditë nga Vesel Krasniqi, ndërsa më pas, sipas tij, autoritetet i kishin ofruar mundësinë për bashkëpunim.

Ai tha se nuk kishte pranuar ofertën dhe se më pas ishte arrestuar.

Shtufi deklaroi se më vonë ishte marrë në pyetje edhe nga inspektori Daut Morina, ndërsa tha se ndaj tij ishte përgatitur një procesverbal dhe se përfundimisht ishte dënuar me tre vjet burg.

Duke folur për përvojën e tij, Shtufi tha se periudha e marrjes në pyetje dhe pasigurisë para arrestimit kishte qenë ndër përjetimet më të rënda për të.

Ai theksoi se është përpjekur që rrëfimet e tij në libër t’i verifikojë përmes dëshmitarëve të tjerë, duke thënë se synimi i tij është të jetë sa më i saktë në përshkrimin e ngjarjeve.

Të fundit nga rubrika