Bjellorusia ka prezantuar një pushkë të re sulmuese, për të cilën autoritetet pretendojnë se prodhohet tërësisht brenda vendit. Megjithatë, pas projektit dyshohet se qëndron edhe ndihma teknologjike e Iranit.
Gjatë vizitës së Aleksandr Lukashenkos në një fabrikë armësh në rajonin e Minskut, më 18 gusht, atij iu prezantua ”VSK-100B”, pushkë e prodhuar nga kompania Kidma Tech.
Sipas organizatës BelPol, të përbërë nga ish-zyrtarë të sigurisë bjelloruse, pajisjet kryesore që mundësuan prodhimin e armës në Bjellorusi janë siguruar nga Irani. Minsku fillimisht kishte tentuar të blinte makineri për prodhimin e tytave në Austri dhe më pas nga kompania ruse Kalashnikov Concern, por pa sukses.
Pas këtyre përpjekjeve, autoritetet bjelloruse thuhet se intensifikuan kontaktet me Teheranin dhe siguruan pajisjet e nevojshme nga Irani.
VSK-100B përdor municion ”7.62×39 mm”, ka karikator standard me 30 fishekë dhe mund të operojë në regjim gjysmëautomatik dhe automatik. Autoritetet bjelloruse synojnë që prodhimi masiv të nisë deri në fund të vitit 2026.
Zhvillimi i armës konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm për Minskun në kushtet e sanksioneve perëndimore. Vetë Kidma Tech është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2021, ndërsa SHBA-ja dhe Kanadaja e sanksionuan kompaninë në vitin 2024.