Gjykata Administrative e Kosovës ka vendosur në favor të Komunës së Prishtinës në një çështje gjyqësore të nisur pas padisë së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) lidhur me vendimin e kryeqytetit për themelimin dhe riorganizimin e tri drejtorive.
Në vitin 2024, Komuna e Prishtinës kishte marrë vendim për themelimin e tri drejtorive të reja, Drejtorisë për Transformimin e Kryeqytetit, Drejtorisë së Pronës dhe Kadastrit dhe Drejtorisë së Planifikimit, Urbanizimit dhe Mjedisit.
Dy nga këto drejtori u krijuan përmes bashkimit të drejtorive ekzistuese. Drejtoria e Pronës dhe Kadastrit u formua nga bashkimi i Drejtorisë së Pronës dhe Drejtorisë së Kadastrit, ndërsa Drejtoria e Planifikimit, Urbanizimit dhe Mjedisit nga bashkimi i Drejtorisë së Urbanizmit me Drejtorinë e Planifikimit Strategjik.
MAPL-ja e kishte kundërshtuar këtë vendim dhe i kishte kërkuar Komunës së Prishtinës rishqyrtimin dhe harmonizimin e aktit me legjislacionin në fuqi.
Sipas MAPL-së, kryetari i Prishtinës nuk kishte ndërmarrë veprime në përputhje me kërkesën për rishqyrtim. Për këtë arsye, ministria e kishte dërguar çështjen në gjykatë, duke u bazuar në nenin 82 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.