Fatmir Sheholli, ndaj të cilit Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për spiunazh dhe shantazh, rezulton se ka pasur kontakte edhe me Milan Radoiçiqin, udhëheqsi i sulmit të armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023.
Detajet dalin nga aktakuza prej 80 faqesh, në të cilën Prokuroria ka përfshirë edhe një transkript të një bisede mes Shehollit dhe Radoiçiqit.
Sipas aktakuzës, transkripti është gjetur gjatë kontrollit në shtëpinë e Shehollit. Dokumenti mban titullin “Transkripti i bisedës të Fatmir Shehollit me Millan Radojçiq në zyrën e Radojçiqit afër restorantit ‘Grej’ në veri të Mitrovicës”.
Prokuroria thotë se nga kjo bisedë rezulton se Sheholli kishte kontakte me një zyrtar të BIA-s, të identifikuar si Ljuba, përkatësisht Ljubiša Bukvić.
Në aktakuzë thuhet se Radoiçiq insistonte të merrte informacione nga Sheholli rreth takimeve të tij me zyrtarin e BIA-s, si dhe e pyeste se sa para i kishte dhënë atij.
Përgjigjja e Shehollit, sipas transkriptit të përfshirë në dosjen e Prokurorisë, është:
“O dost nuk ka punuar ai për mua, unë kam punuar për të, mos ja fut kot.”
Prokuroria e interpreton këtë deklarim si dëshmi se Sheholli kishte punuar për zyrtarin e BIA-s dhe i kishte dhënë atij informacione.
Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se vepronte nën udhëzimet e Bojan Dimiqit, të cilin Prokuroria e identifikon si zyrtar të shërbimit inteligjent serb BIA.