Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE) dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Berisha ka bërë të ditur se marshimi do të nisë në orën 14:00 dhe do të organizohet në mbështetje të lirimit të plotë nga Gjykata Speciale në Hagë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Sot takova Elizën dhe Ridvanin, dy nga organizatorët e Marshit për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00”, ka shkruar Berisha.
Ai ka ftuar qytetarët, pa dallim, që t’i bashkohen marshimit, duke veçuar edhe komunitetin egjiptian.
“Ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, e në veçanti Komunitetin Egjiptian, që t’i bashkohen këtij marshi dhe të shprehim së bashku mbështetjen tonë”, ka deklaruar Berisha.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Speciale pritet të jepet më 16 shtator.
“Bashkë për Liri, Kosova i pret çlirimtarët!”, ka përfunduar Berisha.