Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 personave për krime lufte kundër popullsisë civile, lidhur me ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në lagjen e Jasharajve në Prekaz të Skenderajt.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e ka cilësuar dorëzimin e aktakuzës si një hap të rëndësishëm në këtë rast.
“Sot, Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit të saj ligjor, duke dorëzuar aktakuzën në një çështje me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë, për opinionin publik, e që lidhet me vrasjen e civilëve shqiptarë në familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt”, ka deklaruar Isufaj.
Sipas tij, hetimi për këtë rast ka zgjatur disa vjet dhe është përballur me sfida për shkak të kompleksitetit të tij.
“Kjo aktakuzë është rezultat i një pune të kujdesshme, profesionale dhe të bazuar në prova, në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore që ka Prokuroria Speciale. Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë edhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në familjen Jashari në Prekaz”, ka thënë Isufaj.
Aktakuzë ndaj 35 personave
Prokurori i rastit, Valdet Gashi, tha se hetimi ka qenë kompleks dhe sfidues, ndërsa pas disa vitesh punë, Prokuroria ka arritur ta finalizojë rastin dhe ta dërgojë aktakuzën në gjykatë.
“Bazuar në provat e siguruara, kemi arritur që të vërtetojmë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë kanë kryer veprën penale ‘Krimet e luftës kundër popullsisë civile’, si rezultat i veprimeve të tyre në ngjarjen e datave 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në fshatin Prekaz i Poshtëm, më konkretisht në lagjen Jashari”, tha Gashi.
Sipas tij, gjatë hetimit janë identifikuar 35 të pandehur, të cilët, sipas Prokurorisë, kanë pasur pozita të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe.
Gashi tha se janë identifikuar njësitë serbe që kanë marrë pjesë në sulm, pozicionet e tyre, aktivitetet e të pandehurve, armatimi i përdorur dhe dëmet e shkaktuara në njerëz dhe pasuri.
Prokurori bëri të ditur se provat e mbledhura kanë vërtetuar se gjatë sulmit janë vrarë 26 civilë, në mesin e tyre fëmijë, gra dhe të moshuar.
“Provat e siguruara gjatë hetimit të këtij rasti kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë — duke filluar nga mosha 5-vjeçare — gra dhe të moshuar”, tha Gashi.
Ai shtoi se gjatë sulmit, sipas provave të Prokurorisë, pjesëtarë të njësive speciale serbe kishin marrë peng edhe banorë të lagjes Jashari, të cilët më pas i kishin maltretuar.
Aktakuza u ngrit në mungesë
Gashi bëri të ditur se aktakuza është ngritur në mungesë të të pandehurve, pasi Prokuroria, sipas tij, i ka shterur mundësitë për sigurimin e tyre në procedurë penale.
“Aktakuza është ngritur në mungesë sot, pasi që një mundësi e tillë e ka paraparë Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës. Sepse ne, si Prokurori Speciale, i kemi shterur të gjitha mundësitë për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale”, deklaroi ai.
Prokurori tha se, sipas informatave që ka aktualisht Prokuroria, të gjithë të pandehurit janë ende gjallë.
Ai theksoi se një nga sfidat kryesore të hetimit ka qenë identifikimi i njësive që kanë marrë pjesë në operacion, duke pasur parasysh kohën e gjatë që ka kaluar nga ngjarjet.
Gashi: Njësinë që sulmoi shtëpinë e familjes Jashari e udhëhiqte “Legija”
Gashi ka bërë publike edhe një nga të dhënat që, sipas tij, janë përfshirë në aktakuzë.
Ai tha se Njësia për Operacione Speciale e Serbisë ka marrë pjesë në sulm dhe se atë e ka udhëhequr Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legija”.
“Departamenti i Sigurisë Publike ka qenë i kuadruar domethënë në këtë aksion, mandej Ministria e Punëve të Brendshme, Departamenti i Sigurisë Shtetërore dhe në kuadër të Departamentit të Sigurisë Shtetërore ka qenë edhe Njësia për Operacione Speciale e Serbisë. Këtë nuk desha ta thëm më herët sepse thashë do ta lexojmë në aktakuzë, por po e bëj publike që këtë Njësi për Operacione Speciale e ka udhëhequr Milorad Ulemek ‘Legija’, i cili, atë që thashë më herët, e ka pasur për obligim dhe për detyrë dhe me kërkesën e tij speciale domethënë që ta sulmojë drejtpërdrejt shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit”, tha Gashi.