Letra e Jusuf Gërvallës pas Stambollit: “Nga e gjithë kjo, tash mbeti vetëm dëshira”

Takimi i Stambollit nuk përfundoi me një marrëveshje. Por për të kuptuar se sa të thella ishin mospajtimet, dëshmitë e mëvonshme nuk janë burimi i vetëm.

Në vitin 1992, Sabri Novosella tregonte se para takimit kishte marrë një porosi të qartë nga Bujar Hoxha: “Mos lëshoni pe.” Sot, Novosella thotë se Bujar Hoxha ishte i informuar në detaje për atë që po zhvillohej në Stamboll.

Por hulumtimi i ciklit “Dosjet” nga emisionit “Debat Plus” në Dukagjin nxjerr në pah edhe një tjetër detaj.

Në radiogramet e tetorit të vitit 1981 të shqyrtuara gjatë këtij hulumtimi, Bujar Hoxha nuk e njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme për Takimin e Stambollit.

Ndërkohë, dokumente të tjera të konsultuara gjatë hulumtimit, por që ende janë të klasifikuara dhe nuk mund të publikohen, tregojnë se për takimin ishte njoftuar një rreth shumë më i ngushtë i Partisë së Punës, deri te vetë Enver Hoxha.

Por nëse këto dokumente na tregojnë se kush ishte në dijeni për takimin, një dokument tjetër na tregon diçka edhe më të rëndësishme:

Çfarë mendonte Jusuf Gërvalla për atë që kishte ndodhur në Stamboll.

Për këtë nuk kemi nevojë të presim rrëfime të dhëna dekada më vonë.

Vetëm pak ditë pas takimit, Jusuf Gërvalla e shkroi vetë qëndrimin e tij.

Më 5 nëntor 1981, ai i shkroi Sabri Novosellës. Në fillim të letrës, Gërvalla shfaq një optimizëm të madh për zhvillimet politike dhe për mundësinë e bashkimit të forcave revolucionare.

Ai tregon se prej muajsh e kishte pritur me entuziazëm këtë bashkim dhe se pritjet e tij kishin qenë aq të mëdha, saqë ishte bërë gati ta cilësonte atë si një moment historik.

“Ka disa muaj që unë po fluturoja nga gëzimi, në pritje të bashkimit të forcave tona revolucionare… që isha bërë gati ta quaja bashkim historik.”

Kjo pjesë e letrës është veçanërisht domethënëse.

Ajo tregon se Gërvalla nuk ishte nisur drejt këtij procesi me mosbesim. Përkundrazi, ai kishte pritur prej muajsh që bashkimi të realizohej dhe e kishte parë atë si një zhvillim potencialisht historik.

Por pas kësaj pritjeje optimiste, Gërvalla kalon te ajo që e konsideronte pengesën kryesore.

Ai nuk flet për një mospajtim të zakonshëm organizativ. Ai e quan çështjen një problem parimor, që sipas tij kërkonte marrëveshje serioze.

“Ka probleme parimore për të cilat duhen marrëveshje serioze…”

Më pas, ai e shtron drejtpërdrejt pyetjen që tashmë e kemi parë edhe në dokumentin e Frontit Popullor: çfarë duhej të ndodhte me partinë marksiste-leniniste në rast të bashkimit?

“A duhet të kemi fare parti k.m.-l., apo ajo parti është e domosdoshme…”

Dhe për Gërvallën, kjo nuk ishte një çështje dytësore. Ai e identifikon qartë si thelbin e mosmarrëveshjes.

“Ky ishte për mendimin tim problemi kyç.”

Pra, ajo që del nga letra e Gërvallës përputhet me një prej pikave më të ndjeshme që shfaqet edhe në dokumentin e Frontit Popullor: a duhej të ekzistonte një parti marksiste-leniniste pas bashkimit dhe çfarë roli do të kishte ajo?

Por në vazhdim të letrës, toni ndryshon dukshëm.

Gërvalla kalon nga pritja për një “bashkim historik” te zhgënjimi me mënyrën se si kishte përfunduar procesi.

Ai shkruan se “nga e gjithë kjo, tash mbeti vetëm dëshira.”

Dhe nuk ndalet vetëm te çështja politike.

Nga ajo që kishte mësuar për takimin, Gërvalla duket se kishte arritur edhe në një përfundim personal. Ai i shkruan Sabri Novosellës se e mbështeste qëndrimin e tij për atë që kishte ndodhur në Stamboll.

Ndërsa kur i referohet Kadri Zekës, të cilin në letër e quan “shoku Z”, gjuha e Gërvallës bëhet shumë më kritike.

Ai kundërshton mënyrën se si, sipas tij, ishte paraqitur çështja e bashkimit dhe e cilëson atë si:

“…asnjëherë, as rastësisht, nuk ka rënë fjala për një ‘bashkim’ të tillë të çoroditur, siç e kishte shtruar çështjen shoku Z.”

Më tej, Gërvalla përdor terma edhe më të ashpër për atë që e konsideronte si sjellje

Por një pjesë tjetër e letrës tregon se Gërvalla e kishte përjetuar çështjen edhe në plan personal.

Ai shprehet se emri dhe personi i tij ishin përfshirë në një mënyrë me të cilën nuk ishte pajtuar.

“…nga ana e atyre shokëve, qenka bërë një lojë e pahijshme me personin tim.”

Në fund, Gërvalla nxjerr edhe një mësim nga gjithë kjo përvojë, duke e lidhur atë me besimin dhe sinqeritetin brenda bashkëpunimit politik.

“Veçse, një mësim duhet nxjerrë: sinqeriteti – për shokët e sinqertë.”

Letra e 5 nëntorit na tregon kështu se pas Stambollit kishte ndryshuar diçka në qëndrimin e Jusuf Gërvallës.

Por një pyetje mbetet: a nënkuptonte ky zhgënjim edhe ndërprerjen e marrëdhënieve me Kadri Zekën?

Dëshmitë e sjella në ciklin “Dosjet” sugjerojnë se jo.

Sipas Saime Isufit, takimi me Sabri Novosellën kishte ndikuar në një ftohje të përkohshme të raporteve mes Gërvallës dhe Zekës, por kontaktet mes tyre nuk ishin ndërprerë.

Ajo thotë se Kadri Zeka kishte vazhduar të komunikonte me Jusuf Gërvallën edhe pas tensioneve të krijuara.

“Po, po. Kjo ka ndikuar. Po ka qenë një ftohje në atë kohë, kështu, megjithëse Kadriu nuk i ka pushuar bisedat me Jusufin. Ka pasë kontakte me telefon…”, thotë Saime Isufi.

Edhe Berat Luzha jep një version të ngjashëm, duke thënë se, sipas asaj që kishte treguar Kadri Zeka, raportet me Jusuf Gërvallën kishin mbetur të mira dhe komunikimi mes tyre kishte vazhduar.

Sipas Luzhës, Zeka kishte thënë se duhej të lihej një pauzë për t’u qetësuar problemet që kishin lindur me Sabri Novosellën, ndërsa bashkëpunimi me Gërvallën do të vazhdonte.

“Jo. Kadri Zeka thotë që ne me Sabriun nuk kemi kaluar më së miri, por me Jusufin thotë jemi në kontakt të përhershëm, bile ai ka thënë se Jusufi ka pranuar që të jetë edhe në celulë me Kadriun, në celulë të OMLK-së. Ka thënë që do të të kemi një pauzë derisa të ftohen këto problemet që kanë lindur me Sabriun, dhe punën do ta vazhdojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, nuk ka pasë asnjë fjalë të keqe ose që ka qenë kontestuese për Jusufin, në asnjë mënyrë. Me Jusufin thotë jemi në marrëdhënie, në raporte shumë të mira ndërmjet vete dhe ai është pajtuar me gjithë ato kërkesa që janë shtruar nga tezat për Republikën e Kosovës”, u shpreh Berat Luzha.

Pra, dëshmitë e sjella në këtë pjesë të “Dosjeve” flasin për një ftohje të përkohshme, por jo për një ndërprerje të kontakteve mes Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Dhe kjo e bën edhe më komplekse historinë e Stambollit.

Sepse ajo nuk ishte thjesht një përpjekje e dështuar për bashkim.

Ishte një proces ku përplasjet politike, dallimet ideologjike dhe marrëdhëniet personale u ndërthurën me njëra-tjetrën.

Por për ta kuptuar se si u arrit deri te ky moment, duhet të kthehemi edhe më herët.

Sepse historia e vitit 1981 nuk filloi në Stamboll.

Muaj para atij takimi, Kosova ishte tronditur nga demonstratat studentore. Protestat ishin përhapur, ndërsa shteti jugosllav kishte nisur të kërkonte përgjigjen për një pyetje që do të ndiqte nga afër gjithë veprimtarinë ilegale shqiptare: kush qëndronte pas demonstratave?

Të fundit nga rubrika