Maqedonia e Veriut dhe Turqia thellojnë bashkëpunimin në fushën e shërbimeve sociale

Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë ndërmarrë një hap të ri drejt forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe shërbimeve sociale, përmes nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi ndërmjet ministrive përkatëse të dy vendeve.

Dokumenti është nënshkruar nga ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i Maqedonisë së Veriut, Gjoko Velkovski, dhe ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale e Turqisë, Mahinur Özdemir Göktaş.

Memorandumi synon të krijojë bazë për bashkëpunim më të ngushtë institucional, si dhe për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave të mira në politikat sociale.

Sipas Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, marrëveshja përfshin bashkëpunimin në forcimin e familjes dhe përmirësimin e shërbimeve sociale për gratë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit. Pjesë e saj është edhe shkëmbimi i përvojave për integrimin social të personave me varësi.

Një segment i veçantë i bashkëpunimit lidhet me politikat për punësimin dhe përfshirjen më të gjerë të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri, plakjen aktive, zhvillimin e shërbimeve për fëmijët dhe fuqizimin e grave.

Dy ministritë synojnë gjithashtu të avancojnë mekanizmat e bashkëpunimit në luftën kundër dhunës ndaj grave.

Memorandumi përfshin edhe shkëmbimin e praktikave në fushën e ndihmës sociale, monitorimin dhe vlerësimin e shërbimeve, si dhe përdorimin e analizave kulturore, demografike dhe socio-ekonomike për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve romë.

Bashkëpunimi pritet të konkretizohet përmes shkëmbimit të ekspertëve, dokumenteve dhe praktikave të mira, si dhe organizimit të konferencave, seminareve dhe takimeve profesionale.

Ministri Gjoko Velkovski ka deklaruar se marrëveshja synon që përvojat e mira të dy vendeve të shndërrohen në masa konkrete për qytetarët.

“Me nënshkrimin e këtij Memorandumi krijojmë një bazë shtesë për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive dhe për avancimin e politikave dhe shërbimeve sociale. Qëllimi ynë është që praktikat dhe përvojat e mira t’i shndërrojmë në zgjidhje konkrete që do të kontribuojnë në cilësi më të mirë të jetës dhe mbrojtje më të fuqishme sociale për qytetarët”, ka deklaruar Velkovski.

Memorandumi është nënshkruar për një periudhë pesëvjeçare dhe parashikon mundësinë e vazhdimit automatik të tij.

Shija e redaktorit

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Ekspozita “Ngjyrat e Lirisë” hapet në Prishtinë, arti në shërbim...

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka hapur sot në FLORI Gallery, në Prishtina Mall, ekspozitën “Ngjyrat e Lirisë”, një aktivitet artistik kushtuar luftës së...

Të fundit nga rubrika