Më shumë se gjysma e popullsisë së rritur në Bashkimin Evropian përballet me mbipeshë, ndërsa rreth një në gjashtë persona konsiderohet obez, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025.
Statistikat tregojnë se 16,3 për qind e personave mbi moshën 18-vjeçare në BE kishin indeks të masës trupore (BMI) 30 ose më të lartë, duke u klasifikuar si obezë. Ndërkohë, 35,4 për qind kishin BMI ndërmjet 25 dhe 30, kategori që konsiderohet mbipeshë.
Dallime të dukshme vërehen edhe ndërmjet burrave dhe grave. Shkalla e obezitetit te burrat arriti në 17,4 për qind, krahasuar me 15,3 për qind te gratë. Po ashtu, 41,9 për qind e burrave ishin me mbipeshë, ndërsa te gratë kjo përqindje ishte 29,3 për qind.
Në nivel vendesh, Malta regjistroi shkallën më të lartë të obezitetit, ku më shumë se një e katërta e popullsisë bënte pjesë në këtë kategori. Pas saj renditen Lituania me 24,6 për qind dhe Finlanda me 23,2 për qind.
Në anën tjetër, Italia kishte përqindjen më të ulët të personave obezë, me vetëm 7 për qind, e ndjekur nga Greqia me 12,8 për qind dhe Rumania me 12,9 për qind.
Për Maqedoninë e Veriut, të dhënat më të fundit të disponueshme nga Eurostat i përkasin vitit 2022. Sipas tyre, 15,4 për qind e qytetarëve të këtij vendi klasifikoheshin si obezë.