Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ndaluar një person nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje e rëndë në tentativë”.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 6 shtator 2026, në fshatin Poterq i Epërm të Komunës së Klinës.
“Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka ndaluar një (1) person, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Vrasje e rëndë në tentativë’”, thuhet në njoftim.
I dyshuari, i cili sipas Prokurorisë është në gjendje të paaftësisë mendore, dyshohet se ka sulmuar dy anëtare të familjes së tij, të cilat janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Njëra nga viktimat, për shkak të plagëve të pësuara, nuk ka arritur t’u mbijetojë dhe ka ndërruar jetë, ndërsa viktima tjetër është duke marrë trajtim mjekësor”, njofton Prokuroria.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se ka parashtruar në Gjykatën kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
“Prokuroria Themelore në Pejë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në fund të njoftimit.