Në emisionin “Five” të RTV Dukagjinit, ku po diskutohet rasti i Fatmir Shehollit, i akuzuar për spiunazh dhe shantazh, avokati Valdet Hoxha dhe eksperti i sigurisë Ismet Ibishi kanë komentuar kundërshtimin e aktakuzës dhe hapat e mundshëm të mëtejmë në këtë proces.
Avokati Valdet Hoxha ka thënë se kundërshtimi i aktakuzës është e drejtë procedurale e mbrojtjes, ndërsa ka vlerësuar se heqja dorë nga kundërshtimi mund të hapë rrugën për negociata me Prokurorinë Speciale.
“Është e drejtë procedurale. Ka të drejtë me heq dorë. Po e trasojnë rrugën për negociu me Prokurorinë për marrëveshjen e pranimit të fajësisë”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas tij, veprat penale të kësaj natyre dhe kompleksiteti kërkojnë kujdes të madh gjatë hetimit dhe arrestimit.
“Këto vepra të tilla dhe të komplikuara duhet kujdes i madh për t’i hetu dhe për t’i arrestu. Në këtë fazë, Prokuroria Speciale ka argumente të mjaftueshme që provat materiale dhe personale janë të mjaftueshme për qëndrimin e aktakuzës”, ka thënë Hoxha.
Ai ka theksuar se nuk dëshiron të paragjykojë epilogun e rastit, duke rikujtuar parimin e prezumimit të pafajësisë, por ka shtuar se nuk do të habitej nëse do të ketë pranim të fajësisë.
Hoxha e ka cilësuar kundërshtimin e aktakuzës si një teknikë të mbrojtjes, përmes së cilës avokati ndërton një skenar për të arritur qëllimin final.
“Është teknikë e mbrojtjes. Secili mbrojtës ndaj të mbrojturit të tij ndërton një skenar, mbi të cilin tenton të arrijë qëllimin final”, është shprehur ai.
Sipas Hoxhës, një tjetër taktikë e mbrojtjes është mospranimi i fajësisë në fazat fillestare, ndërsa më pas mund të ketë heqje dorë nga kundërshtimi i aktakuzës dhe kundërshtimi i provave.
“Taktikë e mbrojtjes, mospranimi i fajësisë në fazat fillestare, por heqja dorë për kundërshtimin e aktakuzës dhe hedhja poshtë e saj. Po ashtu edhe kundërshtimi i provave. Mendoj që do të ketë negociim me Prokurorinë Speciale dhe do të ketë një dënim”, ka deklaruar Hoxha.
Eksperti i sigurisë, Ismet Ibishi, ka thënë se Fatmir Sheholli nuk duhet të jetë personi i vetëm i përfshirë në rastin e spiunazhit, duke kërkuar që hetimet të zbardhin edhe emrat e tjerë.
“Fatmir Sheholli nuk ka qenë i vetëm. Duhet të dalin edhe emrat e tjerë. Ndoshta okupimet shekullore kanë bërë që gjithmonë të kemi pasur njerëz që kanë punuar për shërbimet e ish-Jugosllavisë apo të Serbisë. Kemi edhe një libër të freskët ku janë përmendur emra të shqiptarëve që kanë shërbyer. Kush posedon antivlera, nuk njeh as komb, as fe e asgjë tjetër. Kjo mund të jetë tregues se njerëzit po bien nën ndikim për shkak të mjeteve apo rrethanave të tjera. Sidoqoftë, këto janë vepra të rrezikshme për vendin tonë”, ka deklaruar Ibishi.
