Ish-Shefi i Stafit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Avdullah Hoti lidhur me angazhimin e profesorit Bekim Sejdiu në Zyrën e Presidentes.
Vela ka thënë se deklarata e Hotit se Sejdiu ka ushtruar detyrën e këshilltarit politik të Presidentes është e pasaktë dhe, sipas tij, paraqet një insinuatë që nuk i shërben debatit publik.
Sipas Velës, Sejdiu ishte angazhuar si ekspert i jashtëm përmes programit të mbështetjes së Qeverisë së Norvegjisë për Presidencën, të zbatuar nga BPRG.
“Ky angazhim nuk përbën emërim në funksion politik si këshilltar i Presidentes dhe as marrëdhënie pune me Presidencën”, ka deklaruar Vela.
Ai ka treguar se gjatë kohës së tij në Presidencë, përmes të njëjtit mekanizëm janë angazhuar edhe tre ekspertë të tjerë të jashtëm dhe se asnjëri prej tyre nuk ka qenë këshilltar politik i emëruar.
Vela ka thënë se kontributi i Sejdiut ishte i lidhur me ekspertizën për çështje të interesit shtetëror. Sipas tij, Sejdiu ka punuar në çështjen e modaliteteve të raporteve me Vatikanin, komunikimin me SHBA-në dhe angazhimet që lidhen me raportet me Turqinë, përfshirë edhe çështjen e dronëve.
“Angazhimi i tij kishte ardhur edhe me sugjerim të partnerëve ndërkombëtarë”, ka shkruar Vela.
Në fund, Vela i ka bërë thirrje Hotit që të publikojë vendimin për emërimin e Sejdiut si këshilltar politik.
“E sfidoj z. Hoti të publikojë vendimin e emërimit të prof. Sejdiut si këshilltar politik. Ai s’ekziston”, ka thënë Vela.
Ai ka shtuar se kjo, sipas tij, dëshmohet edhe përmes deklarimit të pasurisë, pasi Sejdiu nuk i është nënshtruar këtij obligimi, me arsyetimin se nuk ka qenë këshilltar politik.
“Debati publik kërkon fakte e përgjegjësi”, ka përfunduar Vela.
🧵
SQARIM PUBLIK
Si ish-Shef i Stafit të Presidentes së Republikës së Kosovës, gjatë viteve 2021-2023, kam qenë drejtpërdrejt i përfshirë në procesin e angazhimit të prof. Bekim Sejdiut në Zyrën e Presidentes.https://t.co/u4a5Zmf0zW
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) September 7, 2026