PISA 2025, Shqipëria në krye të rajonit, Rama: Dëftesë e jashtëzakonshme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vlerësuar rezultatet e vendit në testin ndërkombëtar PISA 2025, duke i cilësuar ato si një arritje të jashtëzakonshme për arsimin shqiptar.

Në një deklaratë, Rama tha se Shqipëria ka shënuar përparim të madh në matematikë, shkencë dhe lexim, duke theksuar se vendi tashmë renditet i pari në rajon.

“Ka ditë që shkohet në punë si sot, me një kënaqësi shumë të madhe. Dje kemi marrë një dëftesë për të cilën kemi punuar shumë fort për një vit të tërë”, tha Rama.

Ai theksoi se rezultatet janë veçanërisht të rëndësishme pas rënies së performancës së nxënësve gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

“Kemi dalë si asnjëherë më mirë në testin PISA 2025. Kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm pas Covidit, ku si të gjithë kishim një rënie, por sot jemi të parët në rajon”, u shpreh ai.

Rama ia atribuoi këtë rezultat punës së nxënësve, mësuesve, drejtuesve të shkollave, prindërve dhe Ministrisë së Arsimit.

Ai iu përgjigj edhe kritikave në rrjetet sociale, duke argumentuar se përmirësimi i rezultateve nuk mund të jetë vetëm meritë e nxënësve.

“Jo vetëm kemi bërë kërcim të jashtëzakonshëm pikësh, por kemi lënë pas edhe disa vende që sot janë në BE”, deklaroi Rama.

Në përfundim, kryeministri tha se rezultati është inkurajues dhe se Shqipëria ka ende potencial për të përmirësuar më tej sistemin arsimor.

“Ky vend më të mirën e ka vetëm përpara, duan apo s’duan ata që s’duan. Tani mbërrita, vazhdojmë punën”, përfundoi Rama.

Të fundit nga rubrika