Gazetari Dibran Istrefi ka folur për zhvillimet që priten nesër dhe pasneser në Hagë, në ditën kur Gjykata Speciale do të shpallë aktgjykimin në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Istrefi ka bërë të ditur se nesër në mbrëmje, rreth orës 20:00, pritet të ketë një aktivitet në Hagë, ndërsa pritjet, sipas tij, janë pozitive.
“Pritjet janë pozitive. Presin të lirohen krerët e UÇK-së”, ka thënë Istrefi në një lidhje direkte nga Haga në emisionin “Debat Plus”.
Ai ka treguar se kosovarë pritet të mblidhen në një shesh në Hagë, në afërsi të Gjykatës, për të përcjellë nga afër zhvillimet.
Aktgjykimi pritet të shpallet në orën 10:00, ndërsa Istrefi ka thënë se seanca mund të zgjasë për një kohë të konsiderueshme, bazuar në procedurat e Gjykatës.
“Fillimisht do të lexohet një pjesë e arsyetimit e në fund do të lexohet aktgjykimi”, ka shpjeguar ai.
Istrefi ka thënë se pritjet janë që ish-krerët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm, duke u bazuar, sipas tij, në mënyrën se si ka rrjedhur procesi gjatë viteve të fundit.
“Pritjet janë të shpallen të pafajshëm, duke pasur parasysh procesin se si ka vajtur gjatë gjashtë viteve”, ka deklaruar Istrefi.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se ka një paralajmërim për mbledhjen e qytetarëve nga Kosova në afërsi të Gjykatës Speciale për të përcjellë shpalljen e aktgjykimit.