Gazetari i Dukagjinit, Dibran Istrefi, ka dhënë detaje nga Haga një ditë para shpalljes së verdiktit final ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin e Jakup Krasniqi.
Istrefi bëri të ditur se vendimi i fundit për vazhdimin ishte marrë dy muaj më parë dhe vazhdimi i tij pikërisht sot është totalisht çështje procedurale, njofton Dukagjini.
Mes tjerash, Istrefi bëri të ditur se ka pasur mundësi që të diskutojë edhe me ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së dhe të njëjtit siç bën të ditur nuk janë shqetësuar fare me vazhdimin e paraburgimit për Veselin e Krasniqin.
“Sa i përket vendimit duket ta sqarojmë dhe të kuptojmë një gjë, pra është vendim procedural ku paraburgimi shqyrtohet çdo dy muaj. Pata rast të diskutojë edhe me disa ekipe të mbrojtjes dhe të njëjtit nuk e kanë marrë me shqetësim një gjë të tillë për fakti se një gjë e tillë është totalisht procedurale dhe vendimi ishte i paraparë me kohëzgjatje deri të ditën e sotme dhe logjikshëm në anën juridike nuk do të kishte vazhdim të masës do të liroheshin që sot Veseli dhe Krasniqi edhe pse vendimi shpallet në më pak se 15 orë që prej këtij momenti. Megjithatë, ka lënë një shije të hidhur për faktin që vendimi është shqyrtuar pikërisht sot dhe duhet të kuptojmë në anën tjetër se në anën juridike ishte vetëm afat procedural dhe nuk është e lidhur e as nuk e prek vendimin e nesërm”, u shpreh Istrefi.
Istrefi, mes tjerash, bëri të ditur se shumë njerëz kanë udhëtuar për në Hagë për të qenë pjesë e shpalljes së vendimit të nesërm për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin.
Mes tjerash, Istrefi intervistoi edhe Rafet Bajgora nga Organizata e Veteranëve të Luftës, dega në Mitrovicë, i cili u shpreh se pret që ish-krerët e luftës të lirohen me verdiktin e nesërm.
“Po shpresojmë shumë që nesër të lirohen, është një vendim që e pret dhe e dëshiron e gjithë Kosova”, u shpreh Bajgora.
