Kurti pret në takim Hamzën, diskutojnë për aktgjykimin e Speciales

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Sipas komunikatës së Qeverisë, Kurti dhe Hamza e kanë vlerësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe të rëndë, me pasoja të gjera, duke theksuar nevojën që ai të ndryshohet pozitivisht në shkallën e apelit.

Gjatë takimit, ata kanë ndarë mendimet dhe përshtypjet e tyre lidhur me aktgjykimin, si dhe kanë diskutuar rrugët dhe mënyrat që duhet ndjekur për të korrigjuar vendimin e shpallur një ditë më parë.

“Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit”, thuhet në komunikatë.

Kurti dhe Hamza janë zotuar për komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë për çështjet me interes publik, shtetëror dhe kombëtar.

Në komunikatë, Qeveria ka theksuar edhe qëndrimin e saj lidhur me luftën çlirimtare dhe rezistencën e popullit të Kosovës, duke i cilësuar ato të drejta dhe të domosdoshme në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigje organizative e shqiptarëve ndaj një regjimi shtetëror shtypës sikurse ai i Jugosllavisë së Serbisë së Millosheviqit”, thuhet në komunikatë.

Qeveria ka theksuar se krimet e kryera gjatë asaj periudhe, sipas saj, janë të dokumentuara, duke përfshirë represionin sistematik, aparteidin, mohimin e të drejtave themelore njerëzore e qytetare, spastrimin etnik dhe gjenocidin.

Të fundit nga rubrika