Dogana e Kosovës ka rikujtuar qytetarët për të drejtën e ankesës ndaj vendimeve të nxjerra nga Dogana, në kuadër të garantimit të të drejtave të personave dhe zbatimit të procedurave transparente.
Sipas Doganës, Kodi Nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave, në nenin 27, përcakton të drejtën e çdo personi për të ushtruar ankesë ndaj vendimeve të Doganës.
“Çdo person mund të parashtrojë ankesë kundër çdo vendimi të nxjerrë nga Dogana lidhur me zbatimin e legjislacionit doganor, kur ky vendim ka të bëjë drejtpërdrejt dhe individualisht me atë person”, thuhet në njoftimin e Doganës.
E drejta e ankesës, sipas Doganës, mund të ushtrohet edhe në rastet kur një person ka aplikuar për një vendim dhe nuk e ka pranuar vendimin përkatës brenda afateve të përcaktuara me Kod.
“Njohja e të drejtave tuaja është pjesë e rëndësishme e një procedure doganore transparente dhe të drejtë”, ka theksuar Dogana e Kosovës.