Komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka deklaruar se procesi i optimizimit të misionit nuk nënkupton tërheqjen nga Kosova dhe as zvogëlimin e përkushtimit për mbrojtjen e të gjitha komuniteteve.
Në një konferencë për media pas marrjes së detyrës, Vergori ka thënë se KFOR-i do të vazhdojë ta zbatojë mandatin e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke përshtatur praninë dhe aktivitetet e tij sipas situatës së sigurisë në terren.
“Ky proces nuk nënkupton tërheqje nga misioni dhe në asnjë mënyrë nuk e zvogëlon përkushtimin e KFOR-it për mbrojtjen e të gjitha komuniteteve dhe për të punuar në të mirë të tyre, gjithmonë dhe pa dallim, çdo ditë. Këtë do ta bëjmë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe njësitë e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), duke respektuar rolin përkatës të secilit në reagimin ndaj çështjeve të sigurisë”, ka thënë Vergori.
Ai ka theksuar se misioni do të vazhdojë të punojë në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, me synimin për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët.
Vergori ka shtuar se KFOR-i do të veprojë me vendosmëri, disiplinë dhe paanshmëri, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit dhe krijimin e kushteve të sigurisë që mbështesin përpjekjet diplomatike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkaq, admirali George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, ka thënë se fokusi i KFOR-it mbetet siguria dhe mbrojtja e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.
“Fokusi ynë mbetet i qartë: siguria dhe mbrojtja për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.Për njerëzit që jetojnë këtu, siguria ka një kuptim praktik. Ajo nënkupton mundësinë për të udhëtuar lirshëm drejt punës, për t’i dërguar fëmijët në shkollë, për të vizituar familjen dhe për të pasur qasje në objektet e kultit. KFOR-i ndihmon në krijimin e kushteve që mundësojnë këtë qasje të lirë. Përmirësimi i situatës së sigurisë ka krijuar mundësi për të optimizuar dislokimin e KFOR-it, në mënyrë që ai t’u përgjigjet kërkesave të mandatit tonë”, tha Wikoff.
Sipas tij, përmirësimi i situatës së sigurisë ka krijuar mundësi për optimizimin e dislokimit të forcave, në mënyrë që misioni t’i përmbushë sa më efektivisht përgjegjësitë e tij.
Wikoff ka theksuar gjithashtu mbështetjen e NATO-s për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke u bërë thirrje të dyja palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me vullnet të mirë.
