Rebelët houthit në Jemen kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë sulmet ndaj aeroporteve dhe objekteve të naftës në Arabinë Saudite, një ditë pasi një sulm ndaj kompleksit të gjigantit energjetik Saudi Aramco në Dhahran shkaktoi dëme të konsiderueshme, sipas burimeve të cituara nga Reuters.
Në deklaratën e tyre të mërkurën, houthit i cilësuan objektivat e kërcënuara si legjitime dhe thanë se sulmet po kryhen në shenjë hakmarrjeje ndaj goditjeve saudite në Jemen.
Përshkallëzimi vjen në një kohë kur konflikti në rajon është intensifikuar pas përballjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Gjirin Persik, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Sipas tre burimeve që kanë njohuri për ngjarjen, sulmi i së martës mbrëma ndaj kompleksit të Saudi Aramco-s në qytetin lindor të Dhahranit shkaktoi një zjarr që u përhap në disa kate të ndërtesës. Ministria saudite e Energjisë kishte raportuar më herët se zjarri ishte i kufizuar.
Dy burime thanë se aktivitetet e kompanisë po vazhdonin normalisht, ndërsa punonjësit po punonin nga shtëpia. Saudi Aramco nuk kishte reaguar menjëherë ndaj kërkesës së Reuters për koment.
Në deklaratën e tyre, rebelët thanë se kishin lëshuar raketa balistike, raketa lundruese dhe dronë drejt objekteve të Saudi Aramco-s në Dhahran, aeroportit të Riadit dhe një rafinerie të kompanisë në kryeqytetin saudit.
Ata u kanë bërë thirrje kompanive ndërkombëtare të transportit detar, civilëve dhe punonjësve që të largohen nga aeroportet dhe objektet e naftës në Arabinë Saudite, duke paralajmëruar për sulme të tjera.
Ndërkohë, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi se kishte interceptuar një raketë balistike të lëshuar nga houthit drejt Riadit të mërkurën.
Në kryeqytetin saudit janë dëgjuar disa shpërthime të fuqishme, ndërsa autoritetet kishin lëshuar më herët një alarm për kërcënim të mundshëm ajror. Paralajmërimi u hoq më vonë, por shkaku i saktë i shpërthimeve nuk ishte bërë menjëherë i ditur.
Aeroporti Ndërkombëtar i Riadit është sulmuar katër herë, përfshirë sulmin e së shtunës, i cili la 13 persona të vrarë dhe u cilësua si sulmi më vdekjeprurës në Arabinë Saudite në një dekadë. Autoritetet kanë njoftuar se aeroporti do të mbetet i mbyllur deri më 17 tetor, ndërsa disa kompani ajrore kanë anuluar fluturimet drejt vendit.
Kompleksi i Saudi Aramco-s në Dhahran strehon një qendër të rëndësishme operacionale që mbikëqyr një rrjet të gjerë të puseve të naftës në tokë dhe në det, tubacioneve, rafinerive dhe terminaleve të eksportit.
