Elita nga Kosova përzgjidhet ndër 10 mentorët më të mirë në botë në FIRST Global Challenge 2026

Elita Hajrizi, mentore e ekipit First Kosova, është përzgjedhur ndër 10 mentorët më të mirë në botë në garën e mbajtur në Incheon të Koresë së Jugut, duke vënë në pah rëndësinë e mentorimit dhe përkushtimit në zhvillimin e talenteve të reja.

Ky vlerësim vjen pas një procesi përzgjedhës, në të cilin mentorët pjesëmarrës në garë u ftuan për intervista, ndërsa një juri përzgjodhi dhjetë mentorët që u dalluan për kontributin e tyre. Përzgjedhja e Elita Hajrizit në mesin e tyre përbën një mirënjohje për angazhimin e saj në mbështetjen dhe zhvillimin e të rinjve në fushën e shkencës, teknologjisë dhe robotikës.

Roli i mentorëve në FIRST Global Challenge shkon përtej përgatitjes teknike. Ata i udhëheqin të rinjtë në procesin e të nxënit, i mbështesin në zgjidhjen e problemeve dhe i motivojnë të punojnë si ekip, duke zhvilluar aftësi që u shërbejnë edhe përtej garës.

Përzgjedhja e Elita Hajrizit ndër dhjetë mentorët më të mirë vjen në një edicion ku ekipi First Kosova arriti një tjetër sukses të rëndësishëm, duke u renditur në vendin e katërt në botë bashkë me grupin me Greqinë, Poloninë dhe Meksikën.