Prodhuesi amerikan i çipave Nvidia ka premtuar burime kompjuterike me vlerë 250 milionë dollarë për Britaninë e Madhe gjatë pesë viteve të ardhshme, në mbështetje të kërkimeve për sigurinë e inteligjencës artificiale.
Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë, Jensen Huang, tha të mërkurën se mbështetja do të përfshijë kapacitete kompjuterike të përshpejtuara me vlerë 50 milionë dollarë në vit.
Këto burime do të përdoren për testimin e sigurisë së agjentëve të IA-së dhe do t’u mundësojnë studiuesve britanikë të zhvillojnë masa mbrojtëse për sisteme gjithnjë e më të fuqishme.
Huang theksoi se avancimi i aftësive të inteligjencës artificiale duhet të shoqërohet me përmirësimin e sigurisë së saj.
Mbështetja e Nvidia-s përforcon përpjekjet e Britanisë për të marrë një rol udhëheqës në vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve të IA-së. Një pjesë e kësaj pune zhvillohet përmes Institutit të Sigurisë së Inteligjencës Artificiale, një ndër institucionet e para të mbështetura nga shteti për vlerësimin e teknologjisë.
Vëmendja ndaj sigurisë është shtuar pas rasteve të sjelljeve mashtruese ose të padëshiruara të agjentëve të IA-së, të evidentuara nga kompani si Anthropic dhe OpenAI. Ndërkohë, disa përfaqësues të industrisë kanë paralajmëruar edhe për rreziqe të mundshme ekzistenciale nga teknologjia.
Kanishka Narayan, përgjegjës për inteligjencën artificiale në qeverinë britanike, tha se kontributi do të ndihmojë që sistemet e ardhshme të IA-së të jenë të sigurta dhe t’u shërbejnë interesave të njerëzve.
