Ish-veprimtari Faton Topalli ka folur për arrestimet, dënimet dhe torturat ndaj shqiptarëve pas demonstratave të vitit 1981, duke kundërshtuar pretendimet se organizimet për Republikën ishin të lidhura me Serbinë.
Në një intervistë në emisionin “Debat Plus”, në kuadër të ciklit “Dosjet”, Topalli ngriti pyetjen se kush nga personat e arrestuar dhe të dënuar për kërkesën për Republikë kishte qenë pjesë e sistemit serb, duke theksuar se, sipas tij, shumica dërrmuese e tyre nuk kishin pasur lidhje të tilla.
Ai iu referua edhe deklaratës së Azem Vllasit se nga kërkesat për Republikë dhe demonstratat e vitit 1981 kishte humbur udhëheqja e Kosovës.
Topalli tha se kjo mund të interpretohet në dy mënyra: si humbje e pozitave nga disa kuadro të Lidhjes Komuniste të Kosovës, por edhe si vuajtje e qindra shqiptarëve që u dënuan me nga 10 deri në 15 vjet burg.
Topalli përmendi rastin e Afrim Abazit, për të cilin tha se ishte arrestuar më 11 mars, në kohën e organizimit të aktiviteteve për përvjetorin e demonstratave, dhe se kishte vdekur si pasojë e torturave në burg.
“Afrim Abazi nuk ka bërë vetëvrasje, ka qenë një prej organizatorëve bashkë me Naim Ramadanin, me Vahajdin Azemin, me Shqyri Xhinollin, me Fehmi Hajrullahun, e plotë për Ferizaj e rrethinë që kanë marrë pjesë në organizim të demonstratave”, deklaroi Topalli.
Ai foli edhe për mënyrat që, sipas tij, përdorte UDB-ja për t’i paraqitur veprimtarët shqiptarë si bashkëpunëtorë të saj. Si shembull, përmendi rastet kur zyrtarë të shërbimit sekret i përqafonin veprimtarët në vende publike ose përdornin makina policie për t’i dërguar pranë shtëpive të tyre, me qëllim që të krijonin dyshime te të tjerët për lidhjet e tyre me sistemin.
Topalli theksoi se këto veprime synonin, sipas tij, komprometimin e njerëzve të angazhuar në organizimet kombëtare. Ai përmendi në këtë kontekst edhe Abdullah Prapashticën, si dhe gazetarët Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka, duke thënë se fakti që dikush kishte punuar brenda institucioneve të sistemit nuk nënkuptonte domosdoshmërisht se ishte kundër çështjes kombëtare.
Në fund, Topalli foli edhe për një aksion të shpërndarjes së letrave drejtuar serbëve dhe malazezëve në Ferizaj.
Ai tha se letrat ishin shpërndarë qëllimisht edhe te persona që organizatorët i konsideronin kundërshtarë, me synimin që aksioni të merrte përmasa më të mëdha në perceptimin e institucioneve të kohës.
“Për shembull letrën që ua kemi dërguar serbëve dhe malazezëve, ne nuk është që kemi shpërnda mijëra letra të tilla por të mbeta borxh thash të tregoj që e kemi bërë aksionin. Aksionin e kemi shpërnda njëherë mes serbëve dhe malazezëve që kemi njohur, e dyta ju kemi dërguar, ka qenë në Ferizaj një ndërtesë e oficerëve, ka pas kryesisht oficerë të ushtrisë,dhe ka qenë ndërtesa e njohur. Në atë ndërtesë kemi shkuar duke i shpërnda, u kemi çu njerëzve të komitetit komunal kemi çu njerëzve që kemi menduar që janë spiunë dhe qytetarëve. Tash mundesh me thënë.Por shiko ky ka qenë dallimi, për shembull organizatat tjera kanë thënë lexoje por armikut mos ia dorëzo. Ne ia kemi dorëzuar me qëllim armikut sepse kemi ditur që armiku kur ta çojmë te njerëzit e panjohur pa dalë ndonjë që i dorëzon armikut nuk mbetet. Me këtë aksion ne kemi krijuar përshtypjen te komitetet, njerëz komunal, drejtor shkolle, te policisë, ushtrisë që ne kemi bërë një shpërndarje jashtëzakonisht të madhe dhe ka dokumente për shembull për aksionin e Ferizajt që është takuar shtabi gjeneral i ushtrisë, është taku në Ferizaj dhe që njëra prej arsyeve ka qenë qekjo letra e serbëve, malazezeve ka dokumente zyrtare. Unë mundem me i publiku nëse dikush m’i kërkon”, tha Topalli.
Sipas Topallit, ekzistojnë dokumente zyrtare që dëshmojnë se Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ishte mbledhur në Ferizaj dhe se një nga arsyet e takimit kishte qenë edhe ky aksion.
Ai tha se është i gatshëm t’i publikojë dokumentet nëse i kërkohen.