Protestat në Tiranë “janë dhunë e orkestruar”, Rama i lidh me lëvizjen anarko-komuniste

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka akuzuar lëvizjen “Antifa” për nxitjen e dhunës gjatë protestave të fundit në Tiranë, thënë se pas akteve të dhunshme qëndrojnë forca të huaja që synojnë destabilizimin e Evropës.

Në një takim me drejtuesit e sistemit bankar, të mbajtur pas dëmtimit të 38 degëve bankare dhe 42 bankomateve në Tiranë, Rama deklaroi se qeveria nuk do të bëjë lëshime përballë protestuesve të dhunshëm.

Sipas tij, ngjarjet në Tiranë janë pjesë e një fenomeni më të gjerë që po shfaqet edhe në kryeqytete të tjera evropiane, të cilin ai e cilësoi si lëvizje “marksiste neokomuniste”.

“Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të jashtëm. Po ndodh edhe në kryeqytete të tjera të Evropës përmes një lëvizjeje marksiste neokomuniste që quhet ‘Antifa’”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se në protestat e dhunshme janë përfshirë të rinj të ekstremizuar, të cilët, sipas tij, po përdoren nga forca që synojnë destabilizimin e Evropës. Rama gjithashtu foli për përfshirjen e elementëve kriminalë dhe mbështetjen e mundshme nga krimi i organizuar.

Megjithatë, kryeministri bëri dallim mes protestuesve të dhunshëm dhe studentëve, duke thënë se këta të fundit nuk janë nxitës apo mbështetës të dhunës.

“Vajza dhe djem të ekstremizuar që bëjnë thirrje si në kohën e mesjetës për të burgosur e syrgjynosur këdo që sipas tyre përfaqëson të keqen dhe nga ana tjetër është komponenti i kriminalitetit. Kriminaliteti i vogël i lagjeve mblidhet me sponsorizimin e krimit të organizuar. Pastaj ato kanë një mbështetje nga forca të huaja që kanë synim destabilizimin e Evropës. Këta elementë nuk janë studentë. Ajo pjesë nuk është nxitëse e mbështetëse e dhunës”, tha Rama.

Kujtojmë se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar më herët për atë që e cilëson si kërcënim nga rrjetet ndërkombëtare të ekstremit të majtë, ndërsa administrata amerikane ka shtuar vëmendjen ndaj grupeve të lidhura me lëvizjen “Antifa”.

Ndërkaq, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka shpallur para një viti lëvizjen “Antifa” organizatë terroriste vendore, duke e akuzuar për organizimin e akteve të dhunës, sulmeve ndaj forcave të rendit dhe përpjekjeve për të penguar zbatimin e ligjeve në Shtetet e Bashkuara.

Në urdhrin ekzekutiv, Trump e përshkruan Antifën si një lëvizje militante dhe anarkiste, që sipas tij synon rrëzimin e qeverisë amerikane, kundërshtimin e autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe përmbysjen e sistemit ligjor.

Sipas dokumentit, kjo lëvizje përdor mjete të paligjshme për të organizuar dhe zbatuar një fushatë dhune në shkallë vendi. Mes veprimeve të përmendura janë përplasjet e armatosura me policinë, trazirat e organizuara, sulmet ndaj agjentëve të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe zyrtarëve të tjerë të zbatimit të ligjit, si dhe publikimi i të dhënave personale të figurave politike dhe aktivistëve për t’i ekspozuar ndaj kërcënimeve.

 

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika