Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar se javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtarë për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit evropian, duke veçuar për Kosovën rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit.
Para fillimit të Samitit të Procesit të Berlinit në Mal të Zi, Kos ka përmendur sfidat kryesore me të cilat përballen vendet e rajonit, duke thënë se për Kosovën nevojiten vendime vendimtare për të vazhduar në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ajo ka theksuar se për Malin e Zi moment vendimtar është përfundimi i negociatave të anëtarësimit, për Serbinë zgjedhjet e ardhshme, ndërsa për Shqipërinë ruajtja e ritmit të integrimit evropian.
Deklarata e Kos vjen në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Jam gjithmonë e lumtur të kthehem në këtë shtet, i cili është i vendosur të bëhet anëtar i BE-së. Kemi përpara javë dhe muaj me momente vendimtare. Për Malin e Zi, do të jetë vendimtare arritja në vijën e ‘finishit’ të procesit të anëtarësimit në BE; për Serbinë, zgjedhjet e së dielës së ardhshme; për Shqipërinë, ruajtja e ritmit në rrugën drejt integrimit evropian; ndërsa për Kosovën, zgjedhja vendimtare për të vazhduar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit. Prandaj, mendoj se është shumë mirë që liderët e rajonit dhe të gjithë procesit të zgjerimit janë mbledhur sot në Mal të Zi”, tha ajo.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, mirëpo ende nuk e ka statusin e vendit kandidat dhe nuk ka nisur negociatat formale për anëtarësim.
Përveç reformave institucionale dhe forcimit të sundimit të ligjit, rruga evropiane e Kosovës ndërlidhet edhe me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian./KP