Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka kërkuar presidentes Justina Shiroka-Pula që ta rikthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në një komunikatë për media, PDK-ja ka bërë të ditur se kërkesa është dorëzuar përmes një letre zyrtare, pas konsultimeve të gjera, me qëllim të plotësimit të disa dispozitave dhe forcimit të sigurisë juridike të ligjit.
Sipas PDK-së, rishqyrtimi synon të garantojë të drejtat kushtetuese të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë.
PDK-ja ka theksuar se pjesa dërrmuese e ligjit është e finalizuar dhe se kërkesa është që ai të rikthehet në Kuvend, e jo në Qeveri apo të nisë procesi nga e para.
“Pas konsultimeve të gjera, PDK-ja vlerëson se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara.
PDK-ja është krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë. Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme”, thuhet në komunikatë.
Partia ka ftuar ekspertët që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar, përfshirë Avokatin e Popullit, që të paraqesin propozimet e tyre konkrete.
PDK-ja ka shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish brenda pak javësh, duke rikujtuar se ishte miratuar më 6 tetor 2026.
“Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij. Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme.
Ftojmë ekspertët që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuuar, përfshirë Avokatin e Popullit, t’i paraqesin propozimet e tyre konkrete.
Presim që, ashtu siç e miratuam më 6 tetor 2026, ta miratojmë sërish brenda pak javësh, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë ligj dhe që do të kontribuojnë në finalizimin e tij.
Paralelisht, PDK-ja vazhdon angazhimin për një strategji të koordinuar shtetërore për apelin, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen. Mbështetja për apelin dhe finalizimi i ligjit duhet të ecin së bashku”.
Dukagjini ka tentuar të marrë një përgjigje nga Presidenca lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.