Çfarë e pret Ligjin për Specialen? – Cakolli tregon hapat e radhës në Kuvend

Eugen Cakolli

Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka vlerësuar se ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës mund të përfundojnë në shqyrtim nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë, ndërsa ka thënë se Kuvendi nuk duhet ta rihapë ligjin në tërësi pas kthimit nga presidentja Justina Shiroka-Pula.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Cakolli ka shpjeguar se pas kthimit të ligjit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duhet t’ua përcjellë vendimin deputetëve dhe Komisionit për Legjislacion, i cili duhet t’i shqyrtojë arsyet e presidentes dhe të rekomandojë mënyrën e procedimit të mëtejshëm.

“Në radhë të parë, menjëherë pasi që presidentja e ka dërguar, pra shkresen përkatëse dhe vendimin për ta kthyer ligjin, kjo nënkupton që tashmë çështja i rikthehet vendimmarrjes së Kuvendit të Kosovës, por brenda një afati dhe një shumice më të ndryshme sesa paraprakisht. Albulena Haxhiu në cilësinë e kryetares së Kuvendit është obliguar që, nëse nuk e ka bërë dot dje, gjatë ditës së sotme t’ja përcjellë këtë vendim në radhë të parë gjithë deputetëve dhe Komisionit për Përgjegjësi Parlamentare, që në rastin e tanishëm është Komisioni për Legjislacion, i cili duhet ta shqyrtojë vendimin e presidentës”, tha ai.

Sipas tij, Komisioni për Legjislacion ka afat prej katër javësh për t’ia paraqitur Kuvendit raportin përkatës.

“Pastaj Komisioni për Legjislacion ka një afat kohor prej katër javësh, brenda së cilit është i obliguar që t’ia paraqesë Kuvendit për seancë një raport mbi të cilin vlerëson se si duhet proceduar tutje me projektligjin. Pra, ndonëse rregullorja e re nuk ka dispozita edhe aq të qarta siç ka pasur ajo paraprake për mundësinë e ndryshimit të ligjit, është e nënkuptueshme që Komisioni për Legjislacion mund të nxjerrë dy lloje të raportit praktikisht”, tha ai.

Ai ka thënë se ekzistojnë dy mundësi kryesore: Kuvendi ta mbivotojë vendimin e presidentes dhe ta miratojë ligjin në përmbajtjen aktuale, ose t’i marrë parasysh vërejtjet e saj dhe të propozojë ndryshime.

“E para është që të konstatohet që Kuvendi duhet ta mbivotojë veton e presidentes, për çka nevojiten të paktën 61 vota për, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi edhe pa dekret të presidentes, në raport me përmbajtjen aktuale siç e ka pasur në momentin e miratimit, ose mund të rekomandojë përkatësisht të propozojë që të merren parasysh vërejtjet e evidentuara nga presidentja dhe që të njëjtat të inkorporohen në ligj”, ka deklaruar Cakolli.

Ai ka theksuar se, në rast të ndryshimeve, Kuvendi duhet t’u përmbahet procedurave parlamentare dhe të shmangë rihapjen e përgjithshme të ligjit.

Sipas tij, ndryshimet duhet të kufizohen në çështjet e ngritura nga presidentja, pasi përdorimi i këtij mekanizmi për ndryshime të gjera mund të krijojë precedent të gabuar.

“Edhe pse rregullorja nuk e parasheh procedurën se si duhet të shkojë amandamentimi tutje i ligjit, unë besoj që kjo duhet të bëhet në përputhje me rregulloren sa i përket çështjeve të tjera që ndërlidhen me amandamentimin e ligjit, në mënyrë që kur ligji i ri t’i shkojë presidentës për shpallje, i njëjti të mos i ketë problematika që veçse supozohet që i njëjti mund t’i ketë”, tha ai.

Cakolli ka vënë në pikëpyetje edhe arsyetimin e kthimit të ligjit, duke thënë se duhet të sqarohet nëse vendimi i presidentes është bazuar në përmbajtjen e tij apo në kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ishte sponsorizuese e nismës.

“Tash, sa i përket çështjes se çfarë mund të ndryshojë në ligj, unë besoj që në radhë të parë ka qenë jashtëzakonisht e çuditshme, për të mos thënë shkurtpamëse, ajo çfarë ngjau atje. Në radhë të parë për shkak se presidenca deklaroi që ligji është tërhequr me kërkesë të një pale, e cila ka qenë edhe sponsorizuese e ligjit njëkohësisht, dhe një prej promotoreve kryesore të miratimit urgjent dhe me nguti të projektligjit, por kjo pastaj ngriti dilemën se a ka qenë ky vlerësim i presidentes në këtë rast mbi përmbajtjen e ligjit, apo vetëm kërkesë e një pale, sepse kjo i bie që, nëse PDK-ja nuk do ta kishte bërë kërkesën për ta tërhequr ligjin, presidenca do të mund ta kishte dekretuar atë sot në mesnatë ose i njëjti do të kishte hyrë në fuqi edhe pa dekret, që pastaj ngriti dilemën se a ka në të vërtetë presidenca probleme me përmbajtjen e ligjit, apo thjesht e ka noterizuar një kërkesë të sponsorizuesve të ligjit në këtë rast, që në të dy variantet është situatë problematike”, tha ai.

Ai ka kritikuar PDK-në për faktin se fillimisht kishte kërkuar miratimin e ligjit me nguti, ndërsa pas miratimit kërkoi rishqyrtimin e tij dhe forcimin e disa dispozitave.

“Në anën tjetër, sa i përket vetë Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka qenë hartuese, ka tentuar të marrë kredite edhe për miratimin, dhe tashmë edhe për rikthimin e ligjit, kjo është një situatë, unë besoj, e pakuptimtë, për shkak se i njëjti ligj u kërkua që të miratohet me nguti, derisa tash po thuhet se ka elemente që mund të forcohen, por që të njëjtat është dashur, konsideroj, të bëhen gjatë periudhës përkatëse, për shkak se kemi të bëjmë me një ligj që prek një çështje tepër me rëndësi, jo vetëm në kuptim të procedurave gjyqësore që po zhvillohen në Hagë, por edhe në raport me obligimet ndërkombëtare që Kosova ka si partner ndërkombëtar, e posaçërisht këtu në raport kështu me BE-në”, tha ai.

Rreziku i shqyrtimit kushtetues në Hagë

Cakolli ka paralajmëruar se çfarëdo ndryshimi në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kontestohet dhe të përfundojë në shqyrtim nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale.

“Unë konsideroj që janë dy çështje me rëndësi: e para, secili variant i ligjit, përkatësisht ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara, ka pasur dhe do ta ketë rrezikun që i njëjti të kontestohet dhe eventualisht të trajtohet nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Prandaj, çfarëdo ndryshimi që do të bëhet në këtë ligj, me gjasë do të përfundojë atje në një mënyrë apo tjetrën”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse ndryshimet bëhen në përputhje me Kushtetutën dhe obligimet përkatëse, ato mund të mos kenë efekt praktik, duke e cilësuar këtë si një situatë paradoksale.

Pse u kthye ligji?

Presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu Ligjin për Dhomat e Specializuara pas kërkesës së PDK-së për rishqyrtim. Sipas njoftimit të Presidencës, kërkesa lidhej veçanërisht me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen nga këto Dhomë.

Në arsyetimin e saj, sipas Presidencës, Shiroka-Pula ka ritheksuar qëndrimin kundër përpjekjeve për shtrembërimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe barazimit të luftës çlirimtare me regjimin që e shtypi vendin.

Ndërkaq, PDK-ja ka deklaruar se rishqyrtimi synon plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Partia ka shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish pas përfundimit të procesit të rishqyrtimit.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika