Franca do të angazhojë 70 mijë policë në protestat e planifikuara në mbarë vendin të shtunën, në përpjekje për të parandaluar përsëritjen e dhunës dhe plaçkitjeve që tronditën vendin fundjavën e kaluar.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, ka bërë të ditur të premten se, krahas njësive të rregullta policore, do të mobilizohen edhe ekipet elitare të sigurisë dhe njësitë e lëvizshme të armatosura rëndë.
Kjo masë synon të forcojë praninë e forcave të rendit dhe të shmangë shqetësimet se qeveria ka humbur kontrollin mbi situatën në rrugët e vendit.
“Do të jemi të pakompromis ndaj protestuesve të dhunshëm, plaçkitësve dhe të gjithë atyre që kryejnë akte dhune”, deklaroi Nunez para gazetarëve.
Ai shtoi se grupet e së majtës ekstreme u kanë bërë thirrje aktivistëve në internet që të shënjestrojnë ndërtesat publike dhe të shkaktojnë më shumë kaos.
“Ne nuk po flasim për një demonstratë të këndshme dhe paqësore. Jemi gati për nesër. Do të jemi jashtëzakonisht vigjilentë, jashtëzakonisht të vendosur dhe nuk do të lejojmë të kalojë absolutisht asgjë”, tha ministri.
Protestat në Francë janë nxitur javët e fundit nga pakënaqësitë për koston e jetesës dhe presionin mbi shërbimet publike, duke nxjerrë në rrugë studentë, punëtorë dhe sindikata.
Megjithatë, autoritetet franceze pretendojnë se militantët radikalë dhe grupe të të rinjve që kryejnë plaçkitje po shfrytëzojnë situatën për të nxitur kaos.
Përmes masave të shtuara të sigurisë, autoritetet synojnë të parandalojnë përsëritjen e skenave të dhunës dhe dëmeve materiale të regjistruara gjatë fundjavës së kaluar.