KE-ja e mbron delegacionin vëzhgues të zgjedhjeve të PE-së të cilin e kundërshton Serbia

Zyra e Bashkimit Evropian, Bruksel.

Komisioni Evropian (KE) i doli në mbrojtje të delegacionit të Parlamentit Evropian (PE), i cili do t’i vëzhgojë zgjedhjet në Serbi, pasi Beogradi zyrtar kundërshtoi përbërjen e tij.

“Sa u përket konkretisht misioneve për vëzhgimin e zgjedhjeve, dua të jem i qartë: ne i marrim shumë seriozisht të gjitha përpjekjet për të diskredituar deputetët e PE-së që marrin pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve”, tha gjatë një konference për media zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wiegand.

Ai theksoi se puna e delegacionit bazohet në standarde të qarta, paanshmëri dhe ekspertizë shumëvjeçare.

“Prandaj, presim që të gjitha vendet, përfshirë, natyrisht, vendet kandidate dhe kandidatët potencialë [për anëtarësim në Bashkimin Evropian], të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive dhe transparente me përpjekjet ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve”, tha zëdhënësi në Bruksel.

“Vendosja e një misioni afatgjatë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë [OSBE] për vëzhgimin e zgjedhjeve, meqë ra fjala, me kërkesë të autoriteteve serbe, si dhe ftesa drejtuar PE-së, përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt sigurimit të vëzhgimit të besueshëm të zgjedhjeve dhe mbështetjes së kontributit të vëzhguesve vendorë në integritetin e procesit zgjedhor”, shtoi ai.

Ky reagim erdhi pasi kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit të Serbisë, Ana Bërnabiq, i dërgoi një letër presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në të cilën shprehu kundërshtimin për përbërjen e delegacionit, veçanërisht për emërimin e eurodeputetit Andreas Schieder si drejtues të tij.

Sipas Bërnabiqit, veprimtaria publike e deritanishme e disa anëtarëve të delegacionit dëshmon për “anshmërinë e tij të plotë politike”.

Pas pranimit të letrës, PE-ja njoftoi se nuk ka ndërmend ta ndryshojë përbërjen e delegacionit që do t’i vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, që do të mbahen të dielën, më 25 tetor.

Më 22 tetor, letrës iu përgjigj edhe kancelari austriak, Christian Stocker, i cili tha se Vjena nuk e konsideron sinjal të mirë kritikën ndaj Schiederit, i cili është nga Austria.

Duke folur për zgjedhjet që do të mbahen në Serbi më 25 tetor, zëdhënësi Wiegand tha se BE-ja po e ndjek nga afër procesin e ardhshëm të votimit.

“Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe transparente janë në thelb të demokracisë evropiane. Ato duhet të organizohen në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ditë më parë, thirrje të ngjashme për zgjedhje të lira dhe të ndershme bënë edhe një një grup senatorësh amerikanë nga dy partitë kryesore në Shtetet e Bashkuara.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika