Kaos zgjedhor në Serbi: demokraci apo diktaturë

Të dielën, si SNS-ja, ashtu edhe studentët do të shpallin fitoren. Ja skenari nëse Vuçiqi e bën këtë i pari. Sipas të gjitha parashikimeve, pavarësisht rezultatit, Serbia me shumë gjasë do të përballet me kaos, e ndoshta edhe me dhunë.

Çështja kryesore e zgjedhjeve të së dielës në Serbi nuk është se kush do të fitojë, por kush do ta paraprijë kundërshtarin dhe do ta shpallë i pari fitoren. Për fitore janë të bindur si Aleksandar Vuçiqi, ashtu edhe studentët, me dallimin se Vuçiqi ka më shumë mekanizma për manipulim dhe mashtrim.

Kundërshtarët janë të bindur se Vuçiqi do t’i falsifikojë zgjedhjet. Sipas tyre, Vuçiqi tashmë ka siguruar mbi njëqind mijë vota nga e ashtuquajtura diasporë rajonale, në Republikën Srpska, Mal të Zi dhe Kosovë, ndërsa nuk do të hezitojë të përdorë as “votimin e shumëfishtë” të simpatizantëve të tij.

Dhe më pas fillon rrëmuja dhe kaosi, që mund ta kthejnë Serbinë te politika që ishte instaluar në Jugosllavi që nga mesi i viteve ’80 të shekullit XX.

Ai, me shumë gjasë, do ta shpallë fitoren pavarësisht rezultatit, por studentët, përkatësisht kundërshtarët e tij, nuk do ta njohin atë. Edhe ata do ta shpallin veten fitues, sepse e tillë është klima dhe fryma që mbizotëron në shoqërinë dhe opinionin publik serb. Kjo mund ta çojë Serbinë madje deri në prag të një lufte civile.

Imagjinoni Vuçiqin duke shpallur fitoren, studentët që vërshojnë rrugët dhe policinë që nis përballjen me ta. Pastaj imagjinoni që Vuçiqi humb, por aparati i tij represiv refuzon ta dorëzojë pushtetin.

Dy skenarë, i njëjti kërcënim për gjakderdhje.

Kushdo që të fitojë, Serbia, fatkeqësisht, mund ta gdhijë ditën mes shkopinjve të policisë, gazit lotsjellës dhe gjakut.

Por studentët absolutisht nuk do të dorëzohen dhe as nuk do të heqin dorë nga fitorja e tyre. Ata nuk kanë protestuar për dy vjet kot, që tani ta pranojnë qetësisht humbjen.

Prandaj nuk duhet përjashtuar as skenari i një “revolucioni”. Nëse kjo ndodh, atëherë në Serbi gjithçka është e mundur.

Të gjithë do t’i mbrojnë pozicionet e tyre, sepse e dinë se fituesit nuk do të kenë mëshirë ndaj të mundurve.

Sipas të gjitha parashikimeve, Serbinë pas zgjedhjeve, pavarësisht rezultatit, me shumë gjasë e pret kaosi, ndoshta edhe dhuna e një intensiteti më të madh ose më të vogël.

Ky do të jetë kulmi i politikës shumëvjeçare serbe. Rrethi po mbyllet dhe çrregullimi po kthehet aty ku ka filluar.

Shumica e opinionit publik serb druhet se Serbia mund të zhytet në një krizë afatgjatë, në prag të përplasjes, pikërisht sepse asnjëra palë, as Vuçiqi dhe as studentët, nuk kanë ndërmend të lëshojnë pe.

Është e vështirë të besohet se cilado palë do ta pranojë qetësisht humbjen në një shoqëri kaq të polarizuar, e cila, për ironi, në shumë çështje është pothuajse identike.

Kjo vlen sidomos për politikën ndaj rajonit, Kosovës, Malit të Zi dhe Republikës Srpska, ndaj Evropës, ku shumica e njerëzve nuk e mbështesin anëtarësimin në BE, si dhe ndaj Rusisë, pasi as studentët nuk janë për vendosjen e sanksioneve.

Çfarë skenari mund të na presë në këtë rast?

Shkurt, një skenar ogurzi. Gjithçka është në duart e policisë dhe ushtrisë.

Sondazhe të paqarta

Mund të supozohet se të dyja palët do ta shpallin fitoren e tyre edhe para publikimit të rezultateve, të cilat, sipas hulumtimeve të fundit të opinionit publik, pritet të jenë shumë të ngushta.

Disa pretendojnë se lista e Aleksandar Vuçiqit do të marrë 45 për qind të votave, ndërsa sondazhe të tjera tregojnë se pikërisht këtë përqindje do ta fitojë lista studentore.

Për fitoren e studentëve, pjesëmarrja në zgjedhje, siç thuhet, duhet të jetë së paku 65 për qind.

Pra, çfarë mund të presim në një situatë kur të dyja palët janë të bindura në fitoren e tyre?

Aleksandar Vuçiqi nuk do të largohet lehtë nga pushteti. Ai nuk do ta njohë dhe as nuk do ta pranojë humbjen, e aq më pak do ta dorëzojë pushtetin.

Për të dhe njerëzit e tij, këto zgjedhje janë çështje mbijetese, ekzistence, madje edhe lirie, duke pasur parasysh se tashmë po kërcënohen me burg.

Në fakt, këto zgjedhje janë referendum për Aleksandar Vuçiqin.

Pasi njëra apo tjetra palë ta shpallë fitoren, duke gjykuar nga atmosfera aktuale, rrugët e Beogradit, e ndoshta edhe të qyteteve të tjera, para së gjithash të Novi Sadit, prej nga nisi edhe kjo “revolucion kundër Vuçiqit”, do të mbushen me njerëz.

Studentët ose do të festojnë, ose do të protestojnë kundër vjedhjes së zgjedhjeve nga Vuçiqi, për të cilën tashmë paralajmërojnë.

Një mundësi e tillë nuk mund të përjashtohet, sepse, siç thamë, Vuçiqi nuk ka ndërmend ta dorëzojë pushtetin, sidomos jo në mënyrë paqësore.

Prandaj, pyetja kryesore është se si do të pozicionohet aparati represiv, i cili aktualisht paraqitet si mbështetës i regjimit.

Në rast se Vuçiqi shpall fitoren, protestat, me shumë gjasë, do të përshkallëzohen dhe radikalizohen.

Në këtë situatë, shtrohet pyetja nëse studentët janë të gatshëm për një “sulm të dëshpëruarish” ndaj bastioneve të pushtetit të Vuçiqit, që nga ato politike deri te ato mediatike.

Po ashtu, a do të vendosë Vuçiqi për një Tiananmen serb, gjë për të cilën tashmë po e nxit rrethi i tij i radikalizuar klientelist, që mbron pozitat fitimprurëse të fituara gjatë pushtetit?

Prandaj, gjithçka varet nga qëndrimi që do të mbajë aparati represiv dhe nga pala që do të zgjedhë ta mbështesë.

A do të mbeten këto struktura represive dhe pararepresive besnike ndaj Vuçiqit dhe për sa kohë?

Kujtojmë se ato shumë shpejt ia kthyen shpinën edhe Slobodan Millosheviqit.

Dhe çfarë pastaj?

Pikërisht këtu qëndron dilema.

Nëse supozojmë se rrugët e Beogradit do të vërshohen nga njerëzit, shtrohet pyetja se si do të reagojë Vuçiqi.

Në fakt, si do të reagojnë xhandarmëria, njësitë speciale, ushtria dhe skuadronet e tij paramilitare mercenare, për të cilat shumë analistë serbë thonë se tashmë janë në gatishmëri?

A do të rrezikojnë ata kokën për Vuçiqin, apo do të veprojnë njësoj si atëherë kur iu kthyen kundër Slobodan Millosheviqit?

Nuk duhet harruar një fakt shumë i rëndësishëm: kur po binte Millosheviqi, SHBA-ja dhe BE-ja e mbështetën atë proces dhe ishin plotësisht në anën e opozitës.

Nëse Vuçiqi fiton, përkatësisht shpall fitoren, pushteti i tij do të jetë shumë i brishtë, nëse arrin fare ta formojë atë.

Për të qëndruar në pushtet, ai do të duhet të përdorë metoda të stilit të Putinit, gjë që vështirë se do t’i pëlqejë Brukselit, i cili, çuditërisht, po tregohet mjaft indiferent ndaj zgjedhjeve.

Madje, deri diku, Brukseli anon nga Vuçiqi, i cili praktikisht është një antievropian i hapur.

Por, nga ana tjetër, nuk e dimë as çfarë do të fitojmë nëse studentët vijnë në pushtet, përveç faktit se nuk do të kemi më autokratin patologjik Vuçiq.

Agjenda e tyre e vetme ka qenë rrëzimi i Vuçiqit dhe zbatimi i lustracionit, por pyetja është nëse kanë logjistikë të mjaftueshme për ta realizuar këtë.

Kush e kontrollon aparatin që duhet ta zbatojë atë, para së gjithash policinë dhe sistemin e drejtësisë, të cilat janë plotësisht në duart e Aleksandar Vuçiqit?

Natyrisht, edhe kjo mund të ndryshojë sa hap e mbyll sytë.

Të paktën ne në Ballkan e dimë mirë sa lehtë mund të ndërrohen qëndrimet dhe besnikëritë, sipas drejtimit nga fryn era.

Ekziston edhe një skenar tjetër i mundshëm, në rast se studentët fitojnë me një diferencë të madhe, siç paralajmëruan në tubimin e tyre të fundit parazgjedhor të enjten, ku morën pjesë mbi 200 mijë njerëz.

Ky është skenari i arratisjes së Vuçiqit.

Ai e kupton se mund të mbajë përgjegjësi për shumë gjëra, gjë që atij dhe njerëzve të tij vetëm sa u jep më shumë motiv për të mos u dorëzuar lehtë.

Ata e dinë se mund t’i presë burgu.

Prandaj, nuk duhet përjashtuar as mundësia që diku, në një pistë anësore të aeroportit të Batajnicës, tashmë të jetë duke pritur një avion transportues rus Antonov, i mbushur plot, që do ta dërgojë atë drejt një strehe më të qetë në Minsk ose Moskë.

Pra, nga e hëna në Serbi gjithçka është e mundur.

Të gjitha opsionet janë të hapura, por më së shumti ato ogurzeza.

Megjithatë, zgjedhjet në Beograd dhe pasojat e tyre mund të ndihen shumë larg, edhe jashtë kufijve të Serbisë.

Bashkimin Evropian e shqetëson fakti se Serbia në Ballkan përfaqëson një pikë të cenueshme të mbrojtjes evropiane, përkatësisht një hapësirë më të gjerë ku Rusia mund të ushtrojë presion të konsiderueshëm.

Aktivistët studentorë dhe mbështetësit e tyre janë të zhgënjyer nga ajo që e perceptojnë si indiferencë të BE-së ndaj luftës së tyre politike.

Në të njëjtën kohë, ata përballen me bindjen e përhapur jashtë vendit se demokracia në Serbi është një kauzë e humbur.

Prandaj, të dielën synojnë të dëshmojnë se vlerësime të tilla janë të gabuara.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika