Nëntë persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprimtari kriminale përmes qendrave të thirrjeve në Prishtinë dhe Obiliq.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është regjistruar më 23 tetor 2026, rreth orës 11:00. Të arrestuarit janë shtatë burra dhe dy gra, gjashtë prej tyre shtetas të Kosovës dhe tre shtetas të Gjermanisë.
Policia njofton se të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, kanë zhvilluar aktivitet kriminal përmes qendrave të thirrjeve. Në pajisjet e tyre kompjuterike janë gjetur të dhëna të shtetasve të huaj, të cilët dyshohet se i kanë kontaktuar dhe mashtruar.
Gjatë kontrollit të katër lokacioneve, janë konfiskuar 39 kompjuterë, pesë telefona celularë, 12 pajisje të jashtme për ruajtjen e të dhënave (HDD), një veturë, një armë me gjashtë fishekë, 850 euro dhe 100 franga zvicerane.
Me vendim të prokurorit, nëntë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.