Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë kombëtare për të mërkurën, në orën 16:00, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Protesta, me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Në thirrjen për protestë, kolektivi u bën thirrje qytetarëve që t’u bashkohen protestuesve për të kërkuar mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së grave në Kosovë.
“Kjo javë është thirrja e fundit për revoltë kombëtare për ta mbrojtur jetën e grave në Kosovë”, thuhet në njoftim.
“Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë një normalitet të sforcuar kur gratë po dhunohen, rrihen e edhe vriten para syve tanë”, thuhet më tej në thirrjen e kolektivit, ku theksohet nevoja për të mbushur sheshet dhe për të protestuar para institucioneve që, sipas tyre, po shpërfillin jetën dhe sigurinë e grave.
Kolektivi e ka cilësuar vrasjen e Arlinda Zekajt me sëpatë, për të cilën dyshohet kunati i saj, si alarm për dhunën ndaj grave dhe ka bërë thirrje për reagim qytetar.