Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka deklaruar se dhuna ndaj grave nuk fillon ditën kur një grua vritet, por shumë më herët, përmes kontrollit, kërcënimeve, fyerjeve dhe normalizimit të dhunës në shoqëri.
Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur pas vrasjes së Arlinda Sylaj Zekajt, Osmani ka thënë se letra e lënë nga ajo duhet të shërbejë si thirrje për reflektim shoqëror.
Sipas Osmanit, vrasja është vetëm akti i fundit i një procesi dhune që shpesh nis shumë më herët, ndërsa ka kritikuar edhe qëndrimet që fajësojnë viktimat dhe tolerojnë sjelljen e dhunshme të agresorëve.
“Letra e Arlindës duhet të shndërrohet në testament për këtë shoqëri. Ajo na e dëshmon për të saktën herë radhazi se dhuna nuk fillon në ditën kur një grua vritet”, ka thënë Osmani.
Ajo ka theksuar se dhuna nis kur një burrë mendon se ka të drejtë t’ia kontrollojë jetën një gruaje, kur refuzimin e saj e sheh si fyerje dhe largimin e saj si sfidë ndaj autoritetit të vet.
Osmani ka vënë në pah edhe përgjegjësinë e shtetit dhe të shoqërisë, duke thënë se mungesa e llogaridhënies dhe reagimi i pamjaftueshëm ndaj dhunës mund ta inkurajojnë agresorin të vazhdojë sjelljen e tij.
“Dhuna ndaj grave asnjëherë nuk është vetëm ajo që ndodh në çastin e sulmit, është edhe ajo që e përgatit terrenin për të”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e LDK-së ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e normalizimit të gjuhës së urrejtjes dhe të sulmeve publike ndaj grave, duke theksuar se fyerjet dhe kërcënimet që kalojnë pa pasoja mund të krijojnë një klimë ku dhuna përshkallëzohet.
“Vrasja është akti i fundit, ajo nuk fillon gjithmonë me një goditje, as me sëpatë, e as me plumb, fillon me një fjalë që të poshtëron, me një kërcënim që relativizohet, me një fyerje që duartrokitet dhe me një sulm publik që shndërrohet në argëtim për turmën”, ka thënë Osmani.