Të mërkurën e tre gushtit, në Kuvendin e Kosovës, duke filluar nga ora 13:00, do të mbahet seanca plenare ku do të diskutohet për shtatë pikat e papërfunduara nga 21 korriku dhe dy pikat e seancave të 28 e 29 korrikut.
Nga 21 korriku në rend dite do të jetë votimi i propozim-rezolutës për adresimin e rritjes së çmimeve dhe debati parlamentar në lidhje me mosliberalizimin e vizave nga BE-ja për Kosovën.
- Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021,
- Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.a. për vitin 2021,
- Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 12/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës, Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 13/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”,
- Ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.
Ndërsa nga seancat e 28 dhe 29 korrikut, në rend dite do të jetë votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-138 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-057 për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2021.