“Bota pa besime”

Për shumë njerëz, Zoti është menduar gjatë gjithë jetës sikur “Qenia Supreme”, ai që procesit të jetës i jep një qëllim. Mirëpo se nga e ka gjenezën një besim i tillë dhe ç'janë arsyet e të besuarit, flasin njohësit e fushës

“Ne të gjithë jemi agnostikë, sidomos teistët e ateistët, sepse asnjëra palë nuk e di (ekzistencën e Zotit), asnjëra palë nuk mund ta dijë me siguri, të dy palët besojnë, dhe atë fuqishëm, por ne nuk mund ta dijmë”.

Një thënie e famshme e Bill Nye, shkencëtarit dhe inxhinierit amerikan, e cila njëherësh është thënia që na bën të kërkojmë përgjigje për vargjet që këndonte John Lennon, “A do të ishte parajsa në Tokë? A do të ishte një kaos i plotë?”. Njëherësh, e njëjta thënie e përmendur nga Hanmie Lohaj, vajza agnostike e cila përpos njohësve të fushës, jep një mendim mbi atë se “a dimë apo nuk dimë gjë”.

Për shumë njerëz, të treguarit e një arsyeje se pse besojnë në Zot paraqet një habi nga vetë idea se duhet ta arsyetojnë besimin e tyre. Për disa të tjerë më absurde është edhe vetë arsyeja, e disa të tjerë e kanë mjaft të qartë idenë e asaj që besojnë.

Përveç filozofisë, e cila në mbi 2 mijë vitet e saja të spekulacioneve, teorizimeve, dhe argumenteve logjike dhe racionale mbi çështjet sikur ekzistenca e Zotit, besimi në Zot, nuk kanë mundur që të japin një përgjigje përfundimtare. Po ashtu as shkenca nuk ka mundur që të japë një vërtetim shkencor për ekzistencën e Zotit.

Mirëpo, pyetja se nga vjen një vullnet i tillë është evidente, pavarësisht librave të shenjtë dhe besimeve që u përkushtohen besimtarët.

Për Sartren, njerëzit mbushnin boshllëkun me idenë e zotit.

“Besimi në zot, më shumë është ngushllim e frikë, sesa boshllëk. Siç është thënë, dhe trajtuar nga domeni filozofik, psikologjik, socio-historik, njeriu ka shpikur zotin, ose një fuqi të mbiënatyrshme për t’i kontrolluar fenomenet natyrore, paçka njeriu ndaj tyre është ndjerë tejet i dobët”, thotë Driton Fejzullahu, filozof.

Driton Fejzullahu, studiues i Filozofisë

Sipas Fejzullahut, një pjesë e njerëzve besimin në zot e kanë trashigimi dhe kulturë familjare gjersa thekson se besimi më i madh është diku tjetër.

“Më shumë kanë besim te ndëshkimi dhe shpërblimi, ku secili besimtar i beson si të vërteta absolute të gjitha rrëfimet që burojnë nga fetë abrahamike”, thekson ai.

Për studiuesin e filozofisë, Taulant Gashi, teoria e lartcekur mund të jetë relevante po u pa nga prizmi i duhur.

“Duhet të kemi parasysh se dy gjërat ndaj të cilave njerëzit janë të ekspozuar, por edhe të ndjeshëm, janë shpresa dhe frika. Kështu që, Sartre, ka të drejtë, sepse premisa e shpresës te religjioni, që vjen me premtimin e një bote të amshueshme, përtej dhimbjes dhe kotësisë së përditshme – krizave ekzistenciale – të kësaj bote, premtimi i pakufishmërisë së kohës në këmbim të durimit të përkohësisë, por edhe frika nga realiteti që vjen nga pasiguria ekzistenciale e që mund të mbushet me besimin në një autoritet ekstramental, e bëjnë relevant qëndrimin  e Sartre për besiminë në zot”, thotë Gashi gjersa thekson se përkatësia ndaj një komuniteti religjioz e bën individin të ndihet edhe më i sigurt.

Taulant Gashi, studiues i Filozofisë

Si mund të besojnë njerëzit në diçka që nuk arrijnë ta  preceptojnë?

Për Gashin, vetë fakti që njerëzit i referohen si “besim” dhe jo si “njohje”, nënkupton se kemi të bëjmë me një aktivitet që nuk i takon arsyes, por i takon një bindjeje të brendshme të caktuar.

Ndërsa, për Kryeimamin e Bashkësisë Islame në Podujevë, Bekim Jasharin, e gjitha kjo mund të shpjegohet sikurse pjesë e natyrshme e njerëzve.

“Pikë së pari, mendoj që dëshira për të besuar është natyrshmëri e njeriut. Njeriu sipas Islamit, është krijuar në natyrshmëri për të njohur dhe kërkuar Zotin”, ka thënë Jashari.

Njëherësh, lidhur me mendimin se besimi mund të jetë si rrjedhojë e traditës, ai thotë se nuk mund të krahasohet apo të jetë njëlloji tradita me besimin.

Kryeimam i Bashkësisë Islame në Podujevë, Bekim Jashari

“Përzierja e traditave me fenë është dëm i rrezikshëm që edhe prek fenë, por edhe identitetin tonë kombëtarë. Të jesh besimtarë nuk është kusht të jesh ndjekës i traditave të huaja. Traditat e lindjes janë tradita e jo norma fetare e të besimit”, ka thënë Jashari.

E se çka është ajo që mund t’i dallojë besimtarët nga jobesimtarët, sipas studimeve dhe njëherësh, edhe mendimit të Gashit, personat besimtarë karakterizohen shpeshherë me një stabilitet emocional.

“Pavarësisht pozicionit të cilit i takon, çështja e besimit meriton të vlerësohet si diçka që është më privatja te një individ. Megjithatë, mund të themi se, shumë shpesh, personat besimtarë janë të prirur t’i tejkalojnë më lehtë dështimet, sfidat apo vështirësitë e tyre, duke ia faturuar ato një entiteti ekstramental, si burim të një fati të determinuar dhe kjo me gjasë është një nga pikat kyçe pse njerëzit besojnë – sepse shumë nga ngjarjet në jetën e tyre nuk i shohin si konsekuencë të realitetit, por si ndodhi e determinuar nga zoti. Kjo edhe mund ta lehtësojë jetën”, thotë ai.

A kanë qenë religjionet një formë e “pushtetit” mbi njerëzit?

“Mund të thuhet se njerëzit edhe sot janë të drejtuar nga baza religjioze. Rrokja e anës emocionale është gjithmonë mënyra më e lehtë për të bindur dikë, sepse ana emocionale është e kundërta e racionales dhe vazhdon të jetë e vështirë për t’u mposhtur – për të cilin problem trajtesë më të gjerë gjejmë te Freud”, ka thënë Gashi, filozof.

Ai ka theksuar se religjioni është pushtet në vetvete, sidomos kur flasim për fetë abrahamike të cilat, sipas tij, nëpërmjet historisë së religjionit mund t’i kuptojmë si organizime politike primitive.

Sipas disa vlerësimeve, ka afërsisht 4 mijë e 200 fe, besime, organe fetare, grupe besimi, fise, kultura, lëvizje, shqetësime përfundimtare, të cilat në një moment në të ardhmen do të jenë të panumërta.

Ndërsa bazuar në statistikat e vitit 2020, bota numëron 2 mijë e 382 bilionë besimtarë katolikë, 1 mijë e 907 bilionë besimtarë islamikë dhe 1 mijë e 193 bilionë ateistë.

Lidhur me besimet e lartëcekura, Portali Dukagjini kontaktoi edhe me një vajzë agnostike, Hanmie Lohaj e cila përpos që një fushë të tillë e ka studiuar në mënyrë audodidakte, njëherësh e quan veten edhe agnostike.

“Ateizmi si argument bazë (ndonjëherë më arrogant se ç’duhet) për mbrojtjen e qëndrimit të tyre si grupacion a komunitet ka atë që vijon me: “nuk mund të provojmë mosekzistencën e diçkaje, ekzistenca e së cilës asnjëherë nuk është provuar, në rend të parë”. Teistët, edhe më të devotshëm se këta të parët shpesh dinë të jenë ata që e refuzojnë kategorisht debatin mbi këtë çështje në rend të parë duke u thirrur në “ofendim të sedrës” ose edhe “ofendim të inteligjencës”. Nuk po them në asnjë mënyrë se kjo nuk bëhet nga ateistët mjaft shpesh. Çka presupozoj unë është që ky grupacioni “i mesit” të cilit i takoj unë përveçëse has vështirësi në çasje për diskutim me të dy kategoritë (grupacionet e besimeve) e lartëpërmendura, shpesh del të jetë grupi më i hapur e edhe më fleksibil për diskutim”, ka thënë Lohaj.

Sipas saj, “kjo assesi nuk do të thotë se agnostikët janë të pavendosur, ne (agnostikët) parimin bazë, e që është vërtetimi me prova e fakte i cilësdo tezë a hipotezë e kemi thelbësor, gjë që nuk na lejon të anojmë (e as devijojmë) nga asnjëra palë (grupacion). Pra, unë nuk besoj në Zot (e shkruj me të madhe për çështje korrektësie e mosnxitje reagimesh konfrontuese të panevojshme), por assesi nuk jam e mbyllur ndaj cilitdo (pseudo)argument a prove potencialisht ekzistuese të cilën teistët apo ateistët mund të m’a prezantojnë”.

Lohaj aktualisht jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tendenca për t’i konsideruar njëlloji agnostikët dhe ateistët

Për të qenë më të qartë, një ateist nuk ka një mendim të dytë për ekzistencën e Zotit dhe mosbesimi i ekzistencës së tij është “fjala përfundimtare”.

Ndërkaq, agnostikët janë më “liberalët” në këtë mes të këtyre dy ekstremiteteve të kundërta por njëherësh, edhe shpesh të konsideruara njësoj. Agnostikët janë më të hapur në pranimin e një qenieje supreme sikurse konsiderohet “Zoti”, por vetëm në qoftë se ekzistenca e këtij të fundit provohet.

Si përfundim të këtij debati pa ndonjë fund ekzistent, në detin e pafundmë të mosdijes e mosnjohjes, “unë di se nuk di asgjë”.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika