Kryetarët e komunave i reagojnë Kurtit: Është fyerje të na cilësosh si anti-shtetërorë

Kryetarët e komunave i kanë reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratave të tij, duke i thënë se është fyerje të cilësohen si anti-shtetërorë. Po ashtu, ata presin një kërkim falje nga Kurti për deklaratat e tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetarët e Komunave

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili i akuzoi për politikë anti-shtetërore dhe ku në mes tjerash ka thënë që “bojkoti që të mos dorëzohen listat e mësimdhënësve që po mbajnë grevën, s’është thjesht politikë anti-qeveritare, por është politike anti-shtetërore”.

Ata kanë deklaruar se me gjithë kontributin që kanë kryetarët e komunave në Kosovë, është fyrje t’i cilësosh që janë kundër shtetit të Kosovës.

Po ashtu, kryetarët e komunave presin një kërkim falje nga kryeministri Kurti, pasi sipas tyre ai e ka obligim moral dhe institucional.

Ndërsa, ata e kanë paralajmëruar Kurtin që të mos nxisë edhe situata tjera për të cilat ata nuk kanë asnjë përgjegjësi.

“Kjo qasje për ne nuk është qasje që i duhet vendit tonë as momentumit, aq më tepër qasje që polarizon panevojshëm shoqërinë tonë”, thuhet në reagimin e tyre.

Gjithashtu, ata kanë rikujtuar që punëdhënës i punëtorëve komunal është Komuna dhe jo Qeveria, kurse Ministria e Financave vetëm proceson pagesat sepse vendimmarrës për buxhetet komunale janë vetë komunat.

“Si mund të bëjnë politikë anti-shtetërore Kryetarët e Komunave ku secili nga ata ka një veprimtari të begatë në shërbim të atdheut dhe kombit me dekada të tëra e që shumë nga ata edhe luftëtar lirie si dhe familjar dëshmorësh që kanë derdhur gjakun për shtetin e Kosovës”, thuhet në reagimin e kryetarëve të komunave.

Në reagimin e tyre thuhet se Kryetarët e Komunave kanë sakrifikuar shumë për shtetin, duke mos kursyer asgjë, dhe sipas tyre nuk ka asnjë logjikë që një njeri që ka luftuar për vendin e vetë të punojë kundër shtetit.

“Kryetarët e Komunave vetëm po kërkojnë ligjshmëri dhe funksionim të ndarë mes niveleve të qeverisjes në Kosovës në harmoni me Kushtetutën”, thuhet më tej në reagimin e tyre.

Shija e redaktorit

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

Të fundit nga rubrika