Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka diskutuar rreth rezultateve që ka arritur në aspektin ekonomik gjatë qeverisjes së tij.
Hoti ka thënë se në qeverinë e udhëhequr nga ai, kanë punuar shumë për të nxjerrë ekonominë nga kriza për shkak të pandemisë.
“E kthyem trendin pozitiv që në muajt e parë të vitit 2021. E dorëzuam mandatin me rritje pozitive ekonomike, me baza të mira për të vazhduar më tutje. Që nga atëherë, trendi i rritjes ekonomike është në rënie”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, shkaktarë janë edhe faktorët e jashtëm, por në politika ekonomike dhe fiskale nuk është ndërmarrë asnjë veprim domethënës.
Tutje, ish-kryeministri i Kosovës ka shtuar se nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik për të diskutuar shqetësimet e bizneseve dhe për të zhvilluar politikat e reja ekonomike.