Lëvizjet për vizat, kryediplomati çek të enjten në Kosovë

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky gjatë ditës së enjte do të vizitojë Kosovën, për t’u takuar me liderët e shtetit. Vizita e tij vjen në kohën kur është konfirmuar se liberalizimi i vizave është pjesë e rendit të ditës në Komisionin Evropian në mes të tetorit. E, Qeveria çeke ka thënë për RTV Dukagjini se është e interesuar të shtyjë përpara këtë proces. Vizita e diplomatit çek vlerësohet se ka peshë të madhe

Flamuj të Bashkimit Evropian





Çështjes së liberalizimit të vizave pritet së shpejti t’i largohet pluhuri nga sirtarët e BE-së.

Dy javë para se Kosova të jetë në agjendën e grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor, do të realizohet një vizitë e rëndësishme në Kosovë.

Jan Lipavsky, ministër i Jashtëm i Çekisë, shtetit që udhëheq presidencën e BE-së, gjatë së enjtes do të qëndrojë në Prishtinë.

Kryediplomati çek fillimisht do të pritet në takim nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pastaj nga shefi i tij, kryeministri Albin Kurti dhe më pas nga presidentja Vjosa Osmani.

Agjendën e tij e ka konfirmuar Qeveria e Çekisë për RTV Dukagjini.

Në përgjigjen e saj thuhet se shteti çek është i interesuar të çojë përpara integrimin e Ballkanit, përfshirë heqjen e vizave për Kosovën.

“Parakusht për liberalizimin e vizave është sigurisht plotësimi i një numri të madh kushtesh shumë teknike. Komisioni Evropian vazhdimisht ka konfirmuar se Kosova tashmë i ka përmbushur kushtet e përcaktuara për liberalizimin e vizave. Më pas, nëse të ashtuquajturat përditësime teknike të raportit të gatishmërisë së Kosovës për integrimin e vizave rezultojnë të mira, Presidenca Çeke llogarit që shtetet anëtare të merren me këtë çështje gjatë vjeshtës”.

Këtë vizitë në Kosovë e vlerëson si tejet të rëndësishme profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

“Ardhja e ministrit të jashtëm përçon mesazh kredibiliteti të Bashkimit Evropian. Pra njëfar mënyra vërehet që ka pasur një koordinim të politikave brenda BE-së që Kosovës t’i ofrohet diçka që BE-ja edhe në Kosovë ta fitojë atë kredibilitetin politik dhe besueshmërinë që kështu si funksionojnë partnerët në politikën e jashtme. Pra krijohet ajo besueshmëria reciproke”, ka thënë Arifi.

Por, profesori Arifi konsideron se pesha e kësaj vizite është më e madhe se vizat.

“Momentumi dhe faza dhe koha që po vjen ministri i jashtëm çek është përkrahja për Kosovën, jo vetëm në aspektin e vizave por edhe për shkak të integrimit të Kosovës në familjen e madhe evropiane, ky është një hap jashtëzakonisht shumë i madh pozitiv, dhe e dyta përkrahja për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës për shkak të rrethanave që po krijohen në Ballkan”, ka vijuar ai.

Arifi pret që sivjet të merret vendimi për liberalizim dhe vizat të hiqen formalisht brenda 6 muajve të vitit të ardhshëm.

Komisioni Evropian disa herë ka theksuar se Kosova ka plotësuar kriteret për heqjen e vizave.

Për të fituar liberalizimin, një shtet duhet të kalojë nëpër 13 hapa. Kosova deri më tani ka kaluar katër të tillë.

Në vazhdim grupi punues i Këshillit Evropian pritet të marrë një vendim në mënyrë që procesi të shkojë në Parlamentin Evropian, institucion ky i cili duhet të kërkojë hapjen e dialogut tripalësh ndërmjet Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit.

Më pas çështja kthehet sërish në grupet punuese, para se të shkojë te Këshilli i Ministrave e i cili e thotë fjalën përfundimtare për vizat.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika