A është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, Udhëzimi Administrativ që ndalon mbajtjen e shamisë në shkolla?

Në Kosovë ka nisur një fushatë, përmes së cilës është duke u kundërshtuar Udhëzimi Administrativ që ndalon mbajtjen e shamisë në shkolla. Sipas juristëve, ky Udhëzim Administrativ është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës

ilustrimi

“Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit”, kështu shkruan në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Se sa janë duke respektuar në praktikë këto fjalë të Kushtetutës, ndër më moderne në botë, ka treguar aktivisti Liridon Kurti, i cili ka nisur një fushatë për të kundërshtuar Udhëzimin Administrativ, pasi pretendon se ky udhëzim administrativ është i jashtëligjshëm.

Arsyeja se pse Udhëzimi Administrativ është bërë kaq problem për një pjesë të qytetarëve të Kosovës është sepse në “neni 3, paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, kjo sepse shkolla jonë është sekulare. Krahas shtetit sekular, e drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet askujt, nga askush”.

“Udhëzimi Administrativ duhet të ndryshohet, sepse është në shpërputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, përveç kësaj i diskriminon vajzat me shami”, ka thënë Liridon Kurti.

Aktivisti, Liridon Kurti

Për këtë çështje ata kanë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) edhe kërkesë, përmes së cilës kanë kërkuar ndryshimin e Udhëzimit Administrativ.

Por, sipas Kurtit, ky takim nuk do të ndodhë, pasi, siç thotë ai, “Ministria e Arsimit nuk ka çfarë të diskutojë, sepse Udhëzimi Administrativ është i paligjshëm. Ky vendim duhet që të tërhiqet, sepse ne kemi disa dokumente të Qeverisë së Kosovës, ku thuhet se ky vendim është i paligjshëm, sepse është komplet në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Sa i përket përkrahjes politike për këtë çështje, aktivistiti, Liridon Kurti ka treguar për Portalin Dukagjini se kanë përkrahje nga shumica e deputetëve, si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita.

Përveç nga njerëzit e sferës së politikës, Kurti ka thënë se iniciativa për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ ka mbështetje masive edhe nga qytetarët.

Durim Berisha dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Durim Berisha, i cili është edhe jurist, ka treguar se me cilat nene të Kushtetutës së Kosovës, sipas tij, bie ndesh ky Udhëzim Administrativ.

Ai ka thënë se janë tri dispozita me të cilat bie në kundërshtim.

“Është Neni 55 i kushtetutës së Kosovës kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore, me Nenin 47 E Drejta për Arsimin, dhe Neni 38  Liria e Besimit, e Ndërgjegjes dhe e Fesë”.

Ndërsa pyetjes se cili është propozimi i tij për këtë çështje, ai i është përgjigjur, “nuk propozojmë, por ne kemi dorëzuar kërkesën ku kemi kërkuar anulimin e Udhëzimit Administrativ nga ministrja e Arsimit Arbërie Nagavcit, sepse në bazë të legjislacionin në fuqi, kjo është kompetencë ekskluzive e Nagavcit, e cila duhet ta ndryshojë përmes një vendimi administrativ”.

Berisha ka shtuar se, kjo çështje duhet të ketë një model se si duhet të zgjidhet “model konkret ai i Shteteve të Bashkimit Evropian (BE), në të cilin nuk ka asnjë kufizim për pjesëmarrje në procesin mësimor të vajzave, pavarësisht besimit të tyre apo manifestimit të veshjes se tyre. Ky është modeli që vlen realisht në Republikën e Kosovës, sikur të mos ishte ky Udhëzimi Administrativ i cili është i paligjshëm”.

Abdullah Klinkaku, jurist

Abdullah Klinaku, jurist, ka thënë se Ministritë janë përgjegjëse për hartimin, plotësim- ndryshimin apo nxjerrjen e Udhëzimeve Administrative që rregullojnë çështjet sektoriale të dikasterit përkatës qeveritar, por fillimisht duhet të ndiqet procedura.

Tutje, ai ka thënë se për të nxjerrë Udhëzime Administrative “duhet të përfshihet qartë baza ligjore për nxjerrjen e aktit, pajtueshmëria e aktit administrativ me Kushtetutën e vendit dhe legjislacionin në fuqi dhe pajtueshmëria me legjislacionin evropian, ku përfshihen aktet dhe direktivat e ndryshme të Bashkësisë Evropiane, e njohur si Acquis communautaire”.

Klinaku për Portalin Dukgjini ka thënë se, “Paragrafi 1.13 i nenit 3 i Udhëzimit Administrativ 06/2014 i Ministrisë së Arsimit është në kundërshtim me paragrafin 1, 2 dhe 3 të nenit 38  të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton të drejtën e besimit dhe manifestimit të bindjes fetare”.

“Është në kundërshtim me paragrafin 1 dhe 2 të nenit 47 të Kushtetutës së Kosovës, i cili e përcakton të drejtën dhe obligimin për shkollim dhe arsim. Po ashtu, si metodë e kufizimit të lirive dhe të drejtave të njeriut në kushte të caktuara dhe specifike bie në kundërshtim me paragrafin 4 të nenit 39 dhe nenin 55 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Përveç se është në kundërshtim me Kushtetutën, sipas Klinakut është edhe në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi.

“Paragrafi 1.13 i nenit 3 i Udhëzimit Administrativ 06/2014 i Ministrisë së Arsimit është në kundërshtim me Ligjin Nr. 05/L -021 për mbrojtjen nga diskriminimi, ku në të njëjtën kohë, përgjegjës sipas këtij ligji për këtë shkelje janë të gjitha institucionet të cilat nuk veprojnë në pajtim me detyrat dhe obligimet që dalin për mbrojtje nga diskriminimi”.

Klinaku ka thënë se anomalia e këtij justifikimi është shumë e madhe.

“Këta që pretendojnë se duhet privuar prindërit nga e drejta për edukimin e fëmijëve në vlerat që ata besojnë, synojnë të krijojnë shkëputje midis lidhjes prind-fëmijë”, është shprehur ai.

Sipas Klinakut, kjo mendësi ndikon në shkëputjen e raportit prind-fëmijë, prind-shkollë dhe rrjedhimisht shkollë-nxënës.

Ai ka përfunduar duke thënë se, çdo njëri prej nesh ka të drejtë që fëmijët e vet t’i edukojë përmes metodave prindërore. Ndërsa fëmijët kanë të drejtën e refuzimit, neglizhimit apo largimit nga këto vlera posa t’i mbushin 18 vjet.

Rrahim Ajeti, jurist dhe avokat, ka folur për Portalin Dukagjini duke thënë se nuk ka shtet të Bashkimit Evropian që ka ndaluar me Udhëzim Administrativ apo me ligj mbajtjen e shamisë në shkolla ​​dhe institucione publike.

Por, ai ka treguar se, “janë disa shtetet evropiane si, Holanda, Danimarka dhe Franca, kanë ndaluar burkën, pra mbulimin e gjithë fytyrës, shtëpi syve, por jo edhe bartjen e shamisë. Bashkimi Evropian nuk ka nxjerrë direktivë për ndalimin e bartjes së shamisë”.

Tutje, ai ka sqaruar se çfarë vlere juridike ka një Udhëzim Administrativ.

Udhëzimet administrative, sipas tij, janë akte nënligjore (me fuqi më të vogël juridike se ligji) dhe ato krijohen për thjeshtësuar zbatimin e ligjit.

“Udhëzimi Administrativ 06/2014 i Ministrisë së Arsimit, konkretisht neni 3, parag 1, pika 1.13 i tij, nuk ka mbështetje ligjore. Me udhëzime administrative nuk ka mundësi të krijohet diçka e re, që s’parasheh ligji dhe që prek të drejtat e njeriut. Të drejtat e njeriut mund të kufizohen vetëm me ligj në kushtet e parapara me Kushtetutë”.

Ajeti ka shtuar se në Kushtetutë e Republikës së Kosovës, si akti suprem juridik, nuk gjendet asnjë nen që e ndalon mbajtjen e shamisë në shkollat ​​publike.

“Neni 8 i Kushtetutave përcakton se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështjen e besimeve fetare”.

Ky nen për Ajetin nuk shkelet me faktin se një vajzë shkon në shkollë me shami.

Sipas Ajetit, laiciteti nuk thyhet me faktin se një vajzë hyn në shkollë publike me shami, sepse laiciteti do të thyhej edhe nëse ajo hyn në ndonjë në institucionin tjetër publik, p.sh., në institucione të shëndetit publik.

Ajeti ka treguar se “Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, në nenin 14 të saj, i obligon shtetet nënshkruese, (në këtë rast edhe Kosovën e cila e zbaton direkt këtë Konventë), që të respektojnë të drejtën e fëmijëve për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë, dhe gjithashtu i lejon prindërit që t’i orientojë fëmijët në fenë e tyre”.

Gazetarët e Portalit Dukagjini e kanë shfletuar Kushtetutën se në cilat raste institucionet guxojnë t’i privojnë nga e drejta fetare qytetarët. Në nenin 56 thuhet,

“Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme sipas kësaj Kushtetute dhe vetëm deri në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna”.

Por pavarësisht që shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme, sipas Kushtetutës, disa të drejta nuk është e lejuar në kurrfarë rrethanash të kufizohen, e këtu hyn edhe neni i 38 i kushtetutës që është “Liria e Besimit, e Ndërgjegjes dhe e Fesë”.

“Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 23, 24, 25, 27, 28, 29, 31, 33, 34, 37 dhe 38, të Kushtetutës nuk është e lejuar në kurrfarë rrethanash”, thuhet në Kushtetutën e Kosovës.

Portali Dukagjin u ka dërguar pyetje edhe institucionet kryesore lidhur me këtë çështje.

Pyetje i janë dërguar, Ministrisë së Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Zyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, dhe Zyrës së Kryetarit të Kuvendit Glaku Konjufca, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërsa, shumë qytetarë, përmes komenteve në rrjetin social Facebook të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministres së Arsimit Arbëre Nagavci, janë duke kërkuar ndryshimin e Udhëzimit Administrativ, që ndalon mbajtjen e shamive në shkolla.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika