Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që Lumir Abdixhiku të vazhdojë mandatin si kryetar i partisë, pasi u konfirmua në Kuvendin e sotëm të LDK-së.
Pas përfundimit të Kuvendit, Abdixhiku bëri të ditur se janë miratuar dy deklarata të rëndësishme: njëra lidhur me gjendjen politike në vend dhe tjetra për organizimin e brendshëm të partisë, të cilat, sipas tij, do të bëhen publike.
Ai theksoi se partia do të nisë menjëherë një proces të gjerë riorganizimi në të gjithë territorin e Kosovës.
“LDK-ja nuk mund të vazhdojë siç ka qenë”, deklaroi Abdixhiku, duke paralajmëruar se brenda 100 ditëve do të ketë riorganizim të të gjitha strukturave partiake.
Sipas tij, qëllimi është që LDK-ja të jetë funksionale në çdo degë dhe nëndegë.
Ai shtoi se rruga përpara e partisë është e qartë dhe e përkufizuar si rimëkëmbje, duke ftuar për bashkim të brendshëm: “Rruga përpara e LDK-së ka emër – rimëkëmbje”, tha Abdixhiku, duke bërë thirrje që edhe ata që kanë qenë të pakënaqur me politikat e deritanishme të rreshtohen pas qëllimit të përbashkët të anëtarësisë.
Kryetari i LDK-së theksoi se pas çdo vendimi të shumicës duhet të ketë përgjegjësi dhe unitet, duke nënvizuar se proceset demokratike kanë fillimin dhe fundin e tyre.
“Gjërat nuk mund të vazhdojnë siç i kemi pasur deri më tani”, u shpreh ai, duke paralajmëruar se nga java e ardhshme do të nisë angazhimi strukturor në mbarë Kosovën.
Në fund, Abdixhiku u bëri thirrje edhe anëtarëve të zhgënjyer apo të distancuar që t’i rikthehen partisë dhe të kontribuojnë në procesin e riorganizimit dhe rimëkëmbjes së LDK-së.
Kuvendi i LDK-së refuzon dorëheqjen e Lumir Abdixhikut pas votimit të fshehtë