Orientim politik thotë Lumir Abdixhiku ta ketë LDK-ja mosinterferimin në proces gjyqësore.
Kështu është përgjigjur në Debat Plus kur është pyetur për mospjesëmarrje në protestën “Drejtësi, jo politikë”, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, derisa ka komentuar edhe çështjen e mosvotimit të rezolutës në Kuvend.
Por, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama që mori pjesë në këtë protestë, thotë se të gjithë do të duhej ta votonin rezolutën për Specialen në Kuvend, porse siç thotë ‘ndodhi një keqkuptim për LDK-në’ shkaku i mospërfshirjes së amendamentit për vrasjet e pasluftës.
“Normal që unë gjithsesi jam pro edhe kam qenë pro gjithmonë, çështjet tjera munden me u përdor në kohë të tjera po them, por është vendim i LDK-së, dhe mendoj edhe po them edhe njëherë se informatën që kam është që kanë qenë pro rezolutës. Po tash normal që të gjithë duhet të jemi një sa i përket aspektit të vlerave kombëtare sa i përket UÇK-së edhe të gjithë është dashtë me votu, edhe po them të gjithë kanë dasht me votu ajo me siguri ka qenë një element, një keqkuptim”, deklaroi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Kuvendi i Kosovës votoi në seancën e saj të parë një rezolutë, që kërkon gjykim të drejtë e respektim të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale, ndaj të cilit kundër votoi deputeti Fatos Geci i GUXO-s, pjesë e Grupit Parlamentar të VV-së si dhe LDK-ja që nuk mori pjesë fare në votim.