Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar përfundimin e projekteve madhore infrastrukturore, me fokus të veçantë lidhjen rrugore të rajonit të Dukagjinit.
Gjatë një tubimi me qytetarë në Junik, Abdixhiku deklaroi se nën qeverisjen e tij do të përfundojnë magjistralet që lidhin Pejën, Gjakovën, Mitrovicën dhe Podujevën, duke e cilësuar infrastrukturën si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social.
“Do t’i përfundojmë magjistralet për Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Podujevë dhe do ta lidhim Dukagjinin siç e meriton”, theksoi ai.
Në fjalën e tij, Abdixhiku tha gjithashtu se çdo program zhvillimor humb kuptimin pa funksionimin e shtetit ligjor. Sipas tij, respektimi i Kushtetutës, institucionet funksionale dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë janë themeli i qeverisjes së ardhshme.
“Pa shtet funksional, pa Kushtetutë të respektuar, pa institucione që punojnë dhe pa partnerë ndërkombëtarë, asnjë program nuk mund të ketë sukses”, përfundoi Abdixhiku.