Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për një bashkim të gjerë politik dhe qytetar rreth LDK-së, duke theksuar se partia e tij duhet të jetë shtëpi e përbashkët për të gjithë institucionalistët dhe mbështetësit e rrugës euroatlantike të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se do të nisë një projekt politik që, sipas tij, tejkalon dallimet dhe hidhërimet e së kaluarës.
“Prandaj, do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët. Një projekti që tejkalon secilin prej nesh. Që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës. Ato në kohë krizash e përballë fateve të mëdha të së ardhmes, bëhen krejtësisht të parëndësishme”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Deklarimi i tij vjen në kohën kur po flitet për një mundësi rikthimi në LDK të presidentes Vjosa Osmani, e cila më parë ka qenë pjesë e kësaj partie.
Megjithatë, Abdixhiku nuk ka përmendur emra konkretë dhe nuk ka konfirmuar ndonjë rikthim të mundshëm, duke folur vetëm për një projekt të gjerë bashkimi politik.
Ai ka shtuar se krizat e vazhdueshme politike dhe përplasjet e brendshme po e dëmtojnë vendin, duke theksuar se Kosovës i duhet një qasje e re politike që bashkon shoqërinë, stabilizon jetën institucionale dhe e forcon orientimin drejt Perëndimit.