Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për përfshirjen e Kosovës në iniciativën ndërkombëtare për paqen, të udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Sipas Abdixhikut, ky moment është një dëshmi e suksesit të Kosovës si shtet i ri, por edhe përgjegjësi për rolin që vendi luan në skenën ndërkombëtare.
Ai ka theksuar se prania e Kosovës në tryezat ku diskutohet paqja globale tregon se vendi “nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj”.
“Për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri, falë edhe ndërhyrjes ndërkombëtare, prania në tryezat ku diskutohet paqja globale është edhe dëshmi, edhe përgjegjësi. Dëshmi e suksesit tonë, përgjegjësi për rolin tonë prej shtetit të ri. Është shenjë se Kosova nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka shtuar se çdo bashkëpunim i përbashkët me SHBA-të forcon sigurinë kombëtare, thellon aleancat strategjike dhe e vendos Kosovën në anën e paqes dhe aleancave të drejta.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitullin e ri dhe i gëzohet këtij fakti historik. Sepse sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare para së cilave e me të cilat mburremi të gjithë”, ka shkruar ai në Facebook..