Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot në Selinë Qendrore ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Abdixhiku dhe ambasadori Hargreaves diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj këtyre zhvillimeve, me theks të veçantë në procesin zgjedhor të 28 dhjetorit, njofton Dukagjini.
Në njoftim thuhet se Abdixhiku e informoi ambasadorin britanik për përgatitjet e intensifikuara të LDK-së për zgjedhjet nacionale dhe angazhimin e partisë për një proces demokratik, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
“Po ashtu theksoi mobilizimin e strukturave në të gjitha komunat, finalizimin e programit qeverisës, si dhe angazhimin e partisë për një fushatë konstruktive dhe të orientuar kah qytetari”.
Tutje bëhet e ditur se Abdixhiku nënvizoi se LDK-ja është e gatshme të paraqesë një ofertë serioze dhe vizionare për të ardhmen e vendit, duke u mbështetur në përvojën institucionale që ka.