Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, si dhe ambasadorin francez në Kosovë, Olivier Guérot.
Gjatë bisedës, u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend dhe sfidat aktuale me të cilat po përballet Kosova, nga bllokada institucionale deri te pasojat e qeverisjes populiste.
“Gjatë bisedës sonë diskutuam mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe situatën aktuale, veçanërisht sfidat me të cilat po përballet Kosova – nga bllokada institucionale deri te pasojat e qeverisjes populiste – si dhe qëndrimet e LDK-së karshi kësaj gjendjeje.
Theksova qartë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mbështet praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues dhe normalitetin institucional të vendit. Ata që e kanë nisur këtë rrugëtim, duhet të marrin përgjegjësinë për krizat që i shkaktojnë me vetëdije.