Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, gjatë seancës solemne në Kuvend për 18-vjetorin e Pavarësisë, ka përkujtuar sakrificën e familjes Jashari si moment historik të rrugës çlirimtare të Kosovës.
Abdixhiku ka theksuar se UÇK-ja ishte përgjigja e popullit të shtypur ndaj dhunës sistematike dhe krimeve kundër njerëzimit, duke u bërë faktor i pashmangshëm në realitetin politik dhe historik të vendit.
Ai shtoi se lavdia e kësaj lufte të pastër dhe historike nuk mund të ndryshohet nga asnjë proces apo forcë, duke iu referuar edhe gjykimeve që po zhvillohen në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Prekazi e zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe atë ndërkombëtare. Dhe bëri të qartë se padrejtësia kishte arritur kufirin e saj të fundit. UÇK ishte përgjigja e një populli të shtypur ndaj dhunës sistematike dhe krimeve kundër njerëzimit. UÇK u bë faktor i pashmangshëm i realitetit politik dhe historik… Nuk ka gjë nuk as proces as forcë që ndryshon lavdinë e kësaj lufte të pastër dhe historike të popullit dhe ushtrisë sonë çlirimtare. UÇK është vetë populli i Kosovës…”, ka theksuar ai.
“Rruga paqësore dhe ajo çlirimtare janë dy dimensione që e kanë çuar popullin drejt lirisë dhe pavarësisë. Vetëm duke respektuar të dyat, historia jonë mbetet e plotë dhe e ndershme. Këto janë vlerat identitare të shtetit tonë”, ka deklaruar tutje Abdixhiku, duke potencuar rëndësinë e unitetit kombëtar dhe të miqve ndërkombëtarë që e mbështetën pavarësinë e Kosovës.