Abdixhiku: Vetëvendosje ka panik, mërgata nuk mashtrohet më

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj kritikave të fundit që lidhen me ankesën e LDK-së për mënyrën e organizimit të votimit të mërgatës.

Në një postim në Facebook, ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar, siç thotë ai, “një sistem manipulimi të votave”.

Abdixhiku u shpreh se reagimet e Vetëvendosjes ndaj vendimit të institucioneve zgjedhore janë të mbushura me “mashtrim, propagandë e pa fakte”, duke i cilësuar ato si pjesë të një mentaliteti të rrënjosur të partisë në pushtet.

Sipas tij, që nga shpallja e datës së zgjedhjeve, VV po provon “në çdo mënyrë” të krijojë kushte që, sipas tij, do të lejonin manipulime masive të votave të bashkatdhetarëve jashtë vendit.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

Paskan reaguar i madh e i vogël në sektin e Vetëvendosjes. Natyrisht me mashtrim, pa fakte, me propagandë – siç dijnë vet ata. Mashtrimi u është bërë mendësi sot.

E vërteta është se që nga caktimi i datës së zgjedhjeve, e deri më sot, po provohet nga Vetëvendosja në çdo mënyrë të ndërtohet një sistem i manipulimit të votave. I vjedhjes së tyre për ta thënë thejshtë.

Një herë, provuan ta kthejnë sistemin e vjetër të votimit me email. Atë ku një militant, para televizorit, mbushte qindra e qindra fletvotime vet. Merreni me mend: në Kosovë kalojmë në dhjetëra hapa sigurie para se një fletëvotim të pranohet e të numërohet; këta, të pakënaqur nga rezultati i fundit lokal, donin t’i kthenin kohët e vjetra të votimeve e manipulimeve masive. Rastet e tilla jane ende të deponuara në hetuesi e prokurori. KQZ natyrisht nuk e lejoj. Drejtësia dhe ligji qëndruan.

Pastaj provuan të votojnë në depo mallrash, salla dasmash e restorante; pra jashtë ambasadave e konsullatave siç e thotë ligji. Votime në vende ku nuk ka shtet, nuk ka kontroll, nuk ka monitorim. PZAP, natyrisht, siç e thotë ligji, nuk e lejoj.

Dhe ja ku jemi sot:

Panik. Sulme. Ulërima. Histeri politike.

E vërteta është e thjeshtë. Mërgata kurrë më të lehtë nuk e ka patur votimin. Përveç se zgjedhjet janë në fundvit, kur secili mund të jetë në atdhe; secili bashkëatdhetar që nuk vie këndej, mund të votojë në konsulatë e ambasadë të Republikës; shtetit tonë. Mund dhe të votojnë edhe me postë; secili në emrin e vet, me fletvotim jo të printuar por të pranuar nga shteti i vet.

E di se do ta bëjnë.

LDK po punon secilën ditë me ta. Regjistrohuni e ejani e votoni masivisht në Kosovë. Ne jemi të qetë!

Sekti i Vetëvendosjes nuk e do këtë. Ata duan të manipulojnë. T’i printojnë vet fletëvotimet. T’i mbushin vet. T’i manipulojnë votat vet. Të prodhojnë rezultatin që s’e marrin dot me besimin e qytetarëve.

Përse? Sepse e kanë kuptuar një të vërtetë të madhe:

Mërgata nuk mashtrohet më. Mërgata nuk blihet. Mërgata po ndryshon.

Mashtrimet e propagandat nuk kalojnë më! Jo më ndaj këtij vendi. Jo më në emër të mërgatës. Jo më ndaj demokracisë.

Kosova po zgjohet.

Mërgata po rikthehet.

E paniku i tyre është shenja e parë e humbjes së që i pret.

Të fundit nga rubrika