Aeroporti i Berlinit ndaloi për rreth dy orë të gjitha fluturimet gjatë natës të së premtes, pas raportimeve për një dron në zonë, sipas shërbimit të gjurmimit të fluturimeve.
“Fluturimet u pezulluan midis orës 20:08 dhe 21:58 sipas orës lokale, ku një “seri e tërë uljesh” u devijuan në qytete të tjera gjermane gjatë mbylljes”, tha një zëdhënës, shkruan Euronews, transmeton Dukagjini.
Policia e Brandenburgut konfirmoi se kishte marrë një raportim për një pamje të një droni dhe tha se një makinë patrullimi dhe një helikopter ishin vendosur në aeroport.
Udhëheqësit gjermanë kanë ngritur vazhdimisht alarmin për një kërcënim në rritje nga dronët pas një serie shikimesh të mjeteve ajrore pa pilot (UAV) në aeroporte, si dhe në vende ushtarake brenda këtij viti.
Aeroportet në Danimarkë, Norvegji dhe Poloni kanë pezulluar gjithashtu kohët e fundit fluturimet për shkak të dronëve të paidentifikuar, ndërsa Rumania dhe Estonia e kanë drejtuar gishtin nga Rusia, e cila i ka hedhur poshtë akuzat. Sakaq, edhe Gjermania e ka fajësuar në mënyrë të ngjashme Moskën.
Ndërkohë,në muajt e fundit janë raportuar pamje të shumta të UAV-ve mbi baza ushtarake, vende industriale dhe infrastrukturë të tjera në Gjermani.
Në fillim të tetorit, u identifikuan dron mbi qytetin jugor të Mynihut, ku mbyllën dy herë aeroportin e qytetit.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, i ka bërë thirrje Gjermanisë të “gjejë përgjigje të reja ndaj këtij kërcënimi hibrid”, duke përfshirë aftësi më të mëdha për të zbuluar, vlerësuar dhe për të rrëzuar dronët.