Numri i viktimave nga një sulm me raketë ndaj një shkolle fillore për vajza në jug të Iranit ka arritur në 148, ndërsa 95 persona të tjerë janë plagosur, raportojnë mediat shtetërore iraniane.
Sipas agjencisë së lajmeve Mizan News Agency, që është organi zyrtar i gjyqësorit iranian, sulmi ndodhi të shtunën në mëngjes në qytetin Minab.
Lajmi është konfirmuar duke cituar prokurorin lokal, Ebrahim Taheri.
Shkolla e goditur konsiderohet si ngjarja me më së shumti viktima deri më tani në kuadër të fushatës së bombardimeve të udhëhequra nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit.
Pamje video dhe fotografi nga vendi i ngjarjes, të verifikuara dhe të lokalizuara në zonën përkatëse, tregojnë qindra persona të mbledhur rreth ndërtesës pjesërisht të shembur dhe ende në flakë.
Në rrugë shihen rrënoja të shpërndara, ndërsa burra kërkojnë mes tyre për viktima. Në sfond dëgjohen britma. Në disa prej imazheve shihen çanta shkolle dhe libra të nxjerrë nga rrënojat, raporton The Guardian.
Zëdhënësi i U.S. Central Command, kapiteni Tim Hawkins, deklaroi se SHBA-ja është “në dijeni të raportimeve për dëme ndaj civilëve si rezultat i operacioneve ushtarake në vazhdim” dhe se këto raportime “po merren seriozisht dhe janë duke u shqyrtuar”.
Ndërtesa e shkollës, sipas raportimeve, ndodhet pranë një kazermë të Islamic Revolutionary Guard Corps (IRGC).
