Ajeti prezanton projektet kryesore për Graçanicën: Nënkalim, shesh dhe transport publik

Kandidati për kryetar të Komunës së Graçanicës nga “Aleanca Shqiptare”, Leutrim Ajeti, ka prezantuar projektet e tij kryesore nëse zgjidhet kryetar.

Ajeti ka thënë se do të përfaqësojë të gjitha komunitetet dhe një nga projektet kryesore është ndërtimi i një nënkalimi në qendër të komunës, pranë përmendores së Millosh Obiliqit.

Ai ka sqaruar se mbi nënkalim do të krijohet një shesh, duke adresuar mungesën e sheshit në Graçanicë.

Projekti sipas tij, parashikon gjithashtu vendosjen e parkingjeve dhe menaxhimin e trafikut, sidomos të mjeteve të rënda si kamionët dhe maunat që kalojnë aty.

“Së pari, Graçanica e ka një problem të madh, ngarkesa dhe mjetet motorike që kalojnë aty pari, problemi mjetet e rënda pra maunat dhe kamionët. Ky është projekt i imi dhe i aleancës që i zgjedh ndotjen, pastaj sheshi sipër, nënkalim ku kalojnë veturat, si dhe parkingjet në atë nënkalim”, ka deklaruar ai në Debat Plus.

Një prioritet tjetër i tij është transporti publik, i cili aktualisht mungon në vendbanimet e Graçanicës.

Ajeti ka thënë se linja me Prishtinën do të shpeshtohet dhe më pas do të zgjerohet për të gjithë vendbanimet e komunës. Për këtë do të themelohet një ndërmarrje publike, do të blihen autobusë të rinj dhe do të ketë bashkëpunim me komunën e Prishtinës.

Të fundit nga rubrika